Sport
Magji e djaloshave të Kosovës: Asllani dhe Avdullahu udhëheqin Hoffenheimin drejt triumfit historik ndaj Leverkusenit
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në elitën e futbollit gjerman, duke qenë protagonistë kryesorë në suksesin e jashtëzakonshëm të Hoffenheimit kundër Bayer Leverkusenit.
Në takimin e zhvilluar të dielën, më 25 tetor, skuadra e tyre triumfoi bindshëm me shifrat 3:0, duke i dhënë fund serisë prej gjashtë fitoresh radhazi të kundërshtarit dhe duke shkruar njëkohësisht historinë në Bundesligë.
Përballja ishte mjaft e ekuilibruar gjatë pjesës më të madhe të kohës, ku të dyja palët u vunë në kërkim të epërsisë. Asllani paralajmëroi rrezikun qysh në minutën e 12-të, kur provoi portën nga një pozicion i ngushtë, por gardiani i Leverkusenit, Mark Flekken, frenoi tentativën e tij.
Momenti kthesë i ndeshjes erdhi në minutën e 79-të. Pas një ndërhyrjeje të palejuar të mbrojtësit Edmond Tapsoba ndaj sulmuesit dardan brenda zonës së rreptësisë, gjyqtari Robert Hartmann – i cili kishte marrë drejtimin e ndeshjes gjatë pushimit pas lëndimit të Daniel Siebert – konsultoi sistemin VAR dhe tregoi nga pika e bardhë.
Përgjegjësinë e mori sulmuesi Andrej Kramarić, i cili nuk gaboi, duke kaluar vendasit në avantazh 1:0. Ky realizim kishte peshë të dyfishtë, pasi shënoi golin e jubileut të 1000-të të Hoffenheimit në histori të Bundesligës.
Me të marrë epërsinë, vendasit shfrytëzuan hapsirat e lëna në prapavijën e mysafirëve. Në minutën e 89-të, Alexander Prass ngriti shifrat në 2:0, duke siguruar praktikisht pikët e plota.
Gëzimi i tij pati megjithatë një epilog të çuditshëm, pasi hoqi fanellën gjatë festës dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u larguar me të kuq në minutën 90+1.
Megjithëse me një lojtar më pak në fushë, Hoffenheimi nuk u ndal. Në sekondat e fundit, saktësisht në minutën 90+6, Max Moerstedt përmbylli mbrëmjen magjike me golin e tretë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3:0.
Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu e nisën sfidën nga minuta e parë, duke dëshmuar rëndësinë e tyre në skemat e trajnerit. Asllani u zëvendësua në minutën e 84-t nga Robin Hranáč, pasi kishte lodhur prapavijën kundërshtare me lëvizjet e tij constante dhe fitimin e penalltisë vendimtare.
Në krahun tjetër, Avdullahu mbuloi me sukses detyrat në mesfushë, duke ndihmuar skuadrën në stabilizimin e lojës në momentet e presionit nga Leverkuseni, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 67-të.
Ky triumf ka vlerë të jashtëzakonshme për ngritjen e formës së Hoffenheimit, që vjen pas fitores identike kundër Olympique Lyonit në Ligën e Evropës. Ndërkaq, Bayer Leverkuseni humbi mundësinë e artë për t'u ngjitur në vendin e dytë të renditjes, duke pësuar një goditje të fortë në rrugëtimin e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: