Sport
Pollozhani pas barazimit në derbi: Meritonim fitoren, kemi grup më cilësor se Vardari
Reklamë e Sponsorizuar
Përballja e vlefshme për javën e 11-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut (LPFMV), e zhvilluar në Gostivar, është mbyllur pa fitues dhe pa gola, me rezultatin 0:0.
Pavarësisht këtij barazimi dhe ndarjes së pikëve, skuadra e Shkëndijës vazhdon të ruajë kryesimin e tabelës së renditjes, duke lënë pas Strugën.
Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Shkëndijës, Artim Pollozhani, ka analizuar rrjedhën e takimit, duke theksuar se skuadra e tij kishte për qëllim vetëm tri pikët. "Patjetër është që është një ndeshje derbi, është një ndeshje që ne e kishim me patjetër ta fitonim, sepse unë akoma mendoj që ne kemi akoma më shumë cilësi se kundërshtari, por që me një bllok të ulët të kundërshtarit gjatë gjithë kohës u tregua e vështirë të realizonim planin," u shpreh ai fillimisht.
Duke analizuar lojën, ai shtoi se pjesa e parë solli mundësi shënimi për ekipin e tij, të cilat fatkeqësisht mbetën të pashfrytëzuara. "Luajtëm mirë në pjesën e parë, mendoj që patëm raste shënimi në pjesën e parë, por që nuk ia dolëm të finalizonim."
Pollozhani u ndal edhe te situata e golave të anuluar gjatë 90 minutave të lojës. "Tani duke ardhur pastaj tek ajo çështja tjetër që në fund, rivalit iu hoqën dy gola, po, por janë pozicione jashtë loje, ashtu si edhe neve që na u anulua një gol për pozicion jashtë loje në pjesën e parë. Mendoj se duhet të jemi më cinik në ato minuta nga fundi, nuk mund ose nuk kemi të drejtë që të dorëzojmë topa edhe të dorëzojmë praktikisht gol."
I pyetur rreth ambicieve për titull, tekniku i kuqezinjve u shpreh optimist për të ardhmen e skuadrës. "Mendoj se me një pikë del kampion. Mendoj kështu në qoftë se nuk gaboj, në fund mund me një gol më shumë apo me një pikë bëhesh kampion. Tani nuk e di tendencën e pyetjes, por që kampionati është i gjatë edhe unë mendoj që ky ekip ka potencial për të dalë kampion."
Duke iu përgjigjur stilit të lojës së kundërshtarit, Pollozhani shpjegoi vështirësitë e çarjes së një mbrojtjeje të ngjeshur. "Është e thjeshtë për ta kuptuar, sepse është më e thjeshtë kur ti mbrohesh, mbrohesh me një bllok të ulët. Është jashtëzakonisht e thjeshtë ta bësh atë. I vendos mbrapa linjën e stopit dhe është e thjeshtë. Tani ne nuk jemi ekip që mbrohemi. Nëse do të mbroheshim edhe ne, të mbroheshin edhe ata, ndeshja nuk do kishte ndonjë farë lloj logjike."
Ai gjithashtu analizoi aspektin taktik dhe manovrat e skuadrës në fushë. "Tani te pjesa e manovrës, unë mendoj që akoma më shumë duhet të kapim thellësinë. Ne në pjesën e parë tre herë tentuam të kapim thellësinë edhe te të tre rastet ne rrezikuam me një gol të anuluar, pastaj edhe rasti i Ndzengues."
Në fund të prononcimit të tij, trajneri Artim Pollozhani vlerësoi qasjen e kujdesshme dhe taktike të Vardarit gjatë takimit. "Kështu që nuk mund të presim, nuk e taktikizojmë lojën, domethënë ne e kërkojmë lojën, derisa Vardari taktizoi dhe kishte disiplinë në vendosje. U kthyem gjithë mbrapa, po ta vështrosh, nuk kishte asnjë ndërtim loje nga poshtë, e merrte portieri topin dhe direkt jepte top të gjatë. Ata ishin me bllok të ulët, prisnin gabimet tona, e prisnin topin e dytë për të na goditur, patjetër edhe shkonin në goditje standarde, që t'ju them të drejtën s'e di si, por kanë pasur jashtëzakonisht shumë goditje standarde."
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: