Politikë
Zgjedhjet në Serbi: Muharrem Salihu denoncon militarizimin e Medvegjës dhe pabarazinë në qendrat e votimit
Reklamë e Sponsorizuar
Afaristi dhe veprimtari i njohur shqiptar, Muharrem Salihu, ka ngritur alarmin mbi situatën e tensionuar në Medvegjë gjatë procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, duke vënë inë pah numrin e lartë të forcave ushtarake serbe në terren.
Sipas Salihut, kjo situatë krijon një atmosferë frikësimi dhe përbën një sinjal tejet shqetësues për fatin dhe të ardhmen e popullsisë shqiptare në trojet e tyre stërgjyshore.
Duke ndarë përvojën e tij personale, ai u shpreh: “Sot votova në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Tupallë, në vendlindjen time, për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ajo që pashë dhe përjetova sot nuk ishte thjesht një ditë zgjedhjesh. Në qendër të qytetit të Medvegjës kishte prani të madhe të forcave ushtarake serbe. Në qendrat e votimit, përfaqësimi i shqiptarëve në komisione ishte tejet i pakët, me një raport që, sipas vëzhgimit tim, arrinte afërsisht një me tetë në raport me përfaqësuesit e komuniteteve të tjera”.
Në fjalën e tij, veprimtari shqiptar solli në vëmendje edhe plagën e madhe të pasivizimit të adresave, një praktikë administrative përmes së cilës qindra shqiptarë në Medvegjë janë privuar padrejtësisht nga e drejta elementare e votës.
Në përmbyllje të prononcimit të tij, Salihu bëri një thirrje të fortë drejtuar partnerëve ndërkombëtarë: “Pavarësisht se çfarë rezultati do të sjellin këto zgjedhje për jetën politike të Serbisë, një çështje mbetet thelbësore: Bashkimi Evropian dhe i gjithë faktori ndërkombëtar duhet t’ia bëjnë të qartë Beogradit se Serbia është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, jo vetëm i serbëve. Të gjithë duhet të ndihen të lirë, të barabartë dhe të sigurt, pa dallime etnike. Kjo vlen, para së gjithash, edhe për shqiptarët, të cilët janë popull autokton në këto troje. Medvegja nuk është thjesht një vend në hartë. Është histori, identitet, kujtesë dhe e drejtë për të jetuar të lirë në vendin tënd. Sot votuam për të dëshmuar praninë tonë. Nesër duhet të vazhdojmë të kërkojmë të drejtat tona me këmbëngulje, dinjitet dhe vendosmëri, sepse prania jonë nuk mund të fshihet me një vendim administrativ dhe të drejtat tona nuk mund të zhduken me pasivizimin e adresave. Medvegja meriton drejtësi. Shqiptarët e Medvegjës meritojnë barazi dhe dinjitet!”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: