Në duart e saj lindën shumë fëmijë gjatë luftës – Historia e Qerime Bytyqit nga Damaneku, veteranes së UÇK-së që shpëtoi jetë në kohët më të vështira (Video)

Publikuar më: 14-05-2025 21:30
Qerime Bytyqi nga fshati Damanek i Drenasit ka ndarë për herë të parë rrëfimin e saj prekës në një emision televiziv, duke sjellë para publikut një pjesë të panjohur të historisë së luftës në Kosovë, transmeton portali DrenicaOnline. Me shkollë të mesme të mjekësisë të përfunduar në Prishtinë, Qerimja ishte një prej grave të guximshme që u vu në shërbim të popullit në kohën më të errët të historisë sonë. E pajisur me dije dhe me zemër të madhe, ajo ndihmoi shumë nëna kosovare të sjellin në jetë fëmijët e tyre, edhe në kushte lufte, shpeshherë në male, stane apo shtëpi të shndërruara në qendra improvizuara të lindjes. “Kam parë shumë dhimbje, por edhe shumë gëzim. Në duart e mia kanë lindur shumë fëmijë në kohën e luftës. Secili prej tyre ishte një fitore ndaj vdekjes”, rrëfeu ajo me emocione të thella. Qerime Bytyqi, përveç ndihmës mjekësore, ishte edhe pjesëtare aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo është një prej grave që kontribuoi me përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë, duke shpëtuar jetë dhe dhënë shpresë kur gjithçka dukej e humbur. Rrëfimi i saj është një dëshmi e fuqishme e guximit dhe sakrificës që shumë gra kosovare bënë për lirinë e vendit. Ajo mbetet një simbol i dhembshurisë dhe qëndresës, një heroinë e heshtur e cila me duart e saj solli jetë në mes të vdekjes./DrenicaOnline/ Shpërndaje këtë lajm në:
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu