Aktuale
Revolucioni në janar: Barcelona gati të dëgjojë oferta për tre yjet e skuadrës
Reklamë e Sponsorizuar
Klubi katalanas po bën përgatitjet e fundit për merkaton e dimrit, ku drejtuesit e Blaugranëve shfaqen të hapur për të shqyrtuar propozimet që mund të vijnë për tre lojtarë kyç: Alejandro Balde, Dani Olmo dhe Frenkie de Jong.
Strategjia e klubit është e qartë dhe synon dy objektivë kryesorë: sigurimin e të ardhurave financiare dhe krijimin e hapësirës së nevojshme në faturën e pagave, çka do t'i jepte mundësi menaxhmentit të veprojë lirshëm në tregun e transferimeve.
Një prej dosjeve që mund të sjellë zhvillime të bujshme është ai i Alejandro Baldes. Mbrojtësi 22-vjeçar nuk on ketë hapësirat e dëshiruara në minutat e para të këtij sezoni, ndërkohë që gjatë verës u lakua fuqishëm interesimi i Manchester United për shërbimet e tij.
Në atë periudhë u fol për shifra që silleshin rreth 30 deri në 40 milionë euro, me Barcelonën që preferonte një shitje të përhershme në vend të një huazimi. Kontrata aktuale e mbrojtësit me katalanasit skadon në vitin 2028.
Pjesë e kësaj liste daljeje është bërë edhe Dani Olmo, për të cilin Bayern Munich mund të ringjallë interesimin gjatë merkatos së janarit.
Gjigantët gjermanë po ndjekin me vëmendje ecurinë e mesfushorit ofensiv spanjoll, nëse do të paraqitet nevoja për të përforcuar repartin e sulmit në vijim.
Për momentin nuk ekziston një propozim zyrtar apo një shifër e përcaktuar, ndaj drejtuesit e Barcelonës do të duhet të balancojnë peshën sportive të Olmos në ekip me përfitimet e mundshme ekonomike nga një shitje e tillë.
Futbollisti i tretë që mund të ndryshojë ambient është Frenkie de Jong. Mesfushori holandez, 29 vjeç, ka kaluar një fazë të vështirë për shkak të problemeve fizike dhe ende nuk ka regjistruar asnjë paraqitje zyrtare këtë edicion.
Konkurrenca e lartë në mesfushë ka ndryshuar pozitat e tij, ndërsa një ofertë e majme nga jashtë kufijve mund ta detyrojë klubin të marrë një vendim përfundimtar. Vlera e tij aktuale në treg përllogaritet rreth 35 milionë euro.
Aktualisht, situata ekonomike e Barcelonës paraqitet dukshëm më e qëndrueshme krahasuar me vitet e shkuara, duke operuar normalisht brenda rregullit 1:1 të vendosur nga La Liga.
Çdo operacion shitjeje gjatë muajit janar do t'i dhuronte klubit një bilanc më të favorshëm salarial dhe mundësi reale për afrime të reja. Mbetet tashmë për t'u parë nëse situata e Baldes, insistimi për Olmon apo ofertat për De Jong do të konkretizohen në lëvizje zyrtare në merkaton e dimrit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: