Sport
Fillon fushata e imunizimit: Dozat e reja të vaksinës kundër gripit sezonal mbërrijnë në çdo qendër mjekësore
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar opinionin publik se dozat e vaksinës kundër gripit sezonal kanë mbërritur tashmë dhe janë shpërndarë në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare. Autoritetet shëndetësore theksojnë se kjo mbetet një nga masat parandaluese më thelbësore për mbrojtjen e shëndetit gjatë muajve të ftohtë.
Për çiftin Shani dhe Suzana Muçaj, ky është një ritual shëndetësor që e përsërisin rregullisht prej një dekade. Edhe këtë herë, ata u paraqitën së bashku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të marrë dozën e re, duke vlerësuar se ky proces u ka ndihmuar ndjeshëm në kapërcimin e virozave stinore.
“Nuk kam pasur asnjë problem me gripin, dimrin e kam kaluar shumë mirë dhe kam besim të plotë te vaksinimi”, ka deklaruar Shani Muçaj.
Ndërsa bashkëshortja e tij, Suzana Muçaj, ka shtuar: “Këto mjaft efektive kanë qenë dhe mjaft të suksesshme përderisa ne i marrim, pasi e kemi edhe sezonin e gripit. Kemi një lehtësim të madh”.
Interesimi i qytetarëve ka qenë i dukshëm, ku shumë prej lor prisnin në radhë për të kryer procesin e imunizimit.
“Vaksinat kundër gripit i marrim vazhdimisht. Dikush i nënçmon, por megjithatë janë sigurim i shëndetit dhe varet nga njerëzit se si e çmojnë atë çështje”, u shpreh qytetari Nevruz Nushi.
Xhevrije Canolli, e cila udhëheq sektorin e vaksinimit në këtë qendër, bëri të ditur se për kryeqytetin janë planifikuar 12 mijë doza të vaksinës, pjesë e 75 mijë dozave totale të siguruara nga institucionet qendrore shëndetësore.
Mjekët përsërisin se vaksinimi përfaqëson mënyrën më të suksesshme për të parandaluar komplikimet nga gripi, sidomos tani që numri i rasteve ka shënuar rritje.
“Vaksina e gripit përpunohet atë vit dhe merren antigjenet e atij viti, duke e rritur imunitetin e organizmit për t’u mbrojtur nga virusi me të cilin bien në kontakt pacientët. Zakonisht, këtë vit kemi hasur në një simptomatologji pothuajse të njëjtë te të gjithë pacientët, si kollë, vjellje dhe zënie të hundëve”, ka shpjeguar specialisja e mjekësisë familjare, Nesrije Paqarada.
Në fund, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve, e në veçanti të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe kategorive të tjera vulnerabël, që t'i përgjigjen pozitivisht thirrjes për t'u vaksinuar kundër gripit sezonal.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: