Politikë
Paketa prej 15 milionë eurosh për energjinë: Pakënaqësi qytetare dhe paqartësi rreth kritereve të aplikimit
Reklamë e Sponsorizuar
Përpjekjet e Ministrisë së Punës dhe Familjes përmes programit për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm synojnë që, nëpërmjet subvencionimit të faturave të rrymës, të zbutin barrën e rëndë financiare për familjet në Kosovë.
Megjithatë, pavarësisht premtimeve institucionale për ndihmë ndaj atyre që plotësojnë kushtet, shumë qytetarë ngrenë shqetësimin se nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje pas aplikimit, ndërsa të tjerë ankohen për mungesë të informacioneve të qarta mbi procedurat e përfitimit.
Fevzi Hashani, një pensionist nga Obiliqi i cili vazhdon të punojë si taksist për të siguruar të ardhurat e familjes, tregon se ka aplikuar dy vite me radhë për këtë subvencion, por nuk ka arritur të përfitojë asnjëherë dhe nuk ka marrë kurrfarë sqarimi për refuzimin.
“Dy vjet rresht kam apliku dhe asnjëherë nuk ma kanë njoft. 239 euro i marr pension, nuk e di arsyen, se s’më kanë kthyer asnjëherë përgjigje”, ka theksuar Hashani.
Sipas tij, sfidat ekonomike prekin një shtresë të gjerë të shoqërisë dhe jo vetëm disa grupe të veçanta, duke kërkuar ndërhyrje më të thella.
“Ata duhet me bo lehtësira përmes çmimit të rrymës, e jo vetëm për një pjesë, se në Kosovë është gjendje e madhe e fukarallakut. Ajo është një mallter fytyrës, është një fasadë”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, pavarësisht njoftimeve zyrtare nga ministria përkatëse, një pjesë e popullsisë thotë se ende nuk e di se ku apo si duhet të dorëzojë aplikimin.
“Dëgju e kemi, por informata nuk kemi, veç çka kemi ni kështu. Është e duhur me i ndihmu popullit, se kanë qitë fatura me çmime ma të larta, por edhe çmimet nuk janë kërkund, se na i kemi shtyllat të lidhuna për drunjve. Energjia elektrike edhe tjetër kah po hupë”, u shpreh qytetari Alush Llumnica.
Ndërkaq, një tjetër qytetar, Rabit Krasniqi, shpreh skepticizëm ndaj ekzistencës së vetë platformës: “Jo, se paskemi pa. Ishalla në vesh të Zotit. Ma herët s’kemi apliku dhe nuk di që ka pasë ajo lloj platforme. Nuk e di, mundet edhe me qenë rren”.
Nga Ministria e Punës dhe Familjes bëjnë me dije se përzgjedhja e përfituesve bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në thirrjen publike. Shuma e mbështetjes llogaritet të jetë nga 5 deri në 50 euro në muaj, varësisht nga gjendja e ekonomisë familjare. Kusht kryesor mbetet që të ardhurat mesatare mujore për 12 muajt e fundit të mos kalojnë shifrën prej 150 eurosh për secilin anëtar të familjes.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Andin Hoti, ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm janë ndarë 15 milionë euro për t'u dalë në ndihmë familjeve në nevojë.
“Për vitin e ardhshëm janë 15 milionë euro për subvencionimin e të gjitha familjeve që janë në nevojë. Për afërsisht, ne nuk e dimë numrin e saktë se sa do të jenë përfitues, pasi kjo do të dihet pasi të aprovohen subvencionimet. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 100 mijë qytetarë përfitues të këtij programi”, ka deklaruar Hoti.
Nga ana e tij, profesori i Ekonomisë, Fidan Qerimi, vlerëson se procesi i përzgjedhjes së familjeve duhet të jetë tejet i kujdesshëm, duke sugjeruar që qytetarët të mos mbesin jashtë skemës për shkak të burokracive administrative, teksa vë në pikëpyetje edhe qëndrueshmërinë e këtij modeli si zgjidhje afatgjatë.
Megjithëse nisma ka për qëllim lehtësimin e barrës për familjet me të ardhura të pakta, zërat nga terreni kërkojnë transparencë më të madhe, informim më efektiv dhe lehtësi konkrete përballë kostove të larta të energjisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: