Politikë
Bashkimi politik i shqiptarëve në Serbi: Synimi për një zë më të fortë në parlament
Reklamë e Sponsorizuar
Komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës po synon fuqizimin e ndikimit të tij politik përmes një liste të përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Përfaqësuesit vendorë u kanë bërë thirrje banorëve që të marrin pjesë masivisht në këtë proces zgjedhor.
“Jashtëzakonisht unë e vlerësoj këtë unitet, sepse për bashkimin e forcave politike për të pasur sa më shumë përfaqësues në Parlamentin e Serbisë ka një peshë dhe një vlerë të madhe. Andaj, me të dielën, me 25 tetor, unë ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës kudo që janë, qoftë që janë këtu, qoftë ata që gjenden në Republikën e Kosovës ose edhe në diasporë, të vijnë masivisht edhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë demokratik dhe për të çuar mesazhin e tyre për të përfaqësuar denjësisht, për të pasur përfaqësues të denjë në Parlamentin e Serbisë, për të mbrojtur të drejtat tona, për të afirmuar pozitën tonë dhe për të sensibilizuar gjendjen dhe pozitën aktuale me të cilën përballemi, duke e ditur se me çfarë diskriminimi, me çfarë shkelje sistematike dhe me çfarë shpërngulje masive jemi duke u përballur”, ka deklaruar Ardita Sinani, kryetare e Preshevës.
Dalja e lartë në votime vlerësohet si një mundësi kyçe për të ngritur shqetësimet dhe për të rritur peshën politike të shqiptarëve në nivel qendror.
“Këto zëra që do të jenë në Parlamentin e Serbisë do të jenë zëra të fuqishëm që do t'i kontribuojnë çështjes kombëtare apo të drejtave elementare që i takojnë pakicës kombëtare shqiptare që jetojnë në Serbi. Pra, është e domosdoshme të jemi bashkë, është e domosdoshme t'i japim fuqinë maksimale që e ka elektorati ynë në Luginë të Preshevës, gjithashtu edhe në Sanxhak, ku për herë të parë në Sanxhak është edhe një kandidate nga Sanxhaku, një shqiptare kandidate nga Sanxhaku. Dhe mendoj që ne duhet fuqishëm të mbizotërojmë, të dalim në vota dhe të fitojmë ato që i meritojmë”, u shpreh Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Sfida të mëdha si mosnjohja e diplomave të Kosovës, pasivizimi i adresave dhe mungesa e investimeve vazhdojnë të rëndojnë mbi jetën e përditshme të shqiptarëve, duke e bërë të domosdoshëm një përfaqësim të fortë institucional.
“Koalicioni Shqiptar me numër 17 tashmë këtë bashkim e kanë shpërndarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e madje në çdo lagje, në çdo shtëpi. Mobilizimi i shqiptarëve është në nivelin më të lartë në mënyrë që t'i japim përgjigje Serbisë, t'i japim përgjigje Vuçiqit për diskriminimin që po u bën shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, theksoi Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit të Kosovës.
Përqendrimi i energjive te ky bashkëpunim mbetet thelbësor për të siguruar që kërkesat e komunitetit shqiptar të trajtohen me seriozitet nga strukturat shtetërore në Serbi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: