Ekonomi
Kriza e mollëve në Maqedoni: Prodhimi lulëzon, por fermerët përballen me çmime të ulëta dhe mungesë tregjesh
Reklamë e Sponsorizuar
Prodhimi i mollëve këtë vit ka shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me sezonet e kaluara, megjithatë kjo nuk është shoqëruar me kushte të favorshme financiare për bujqit, pasi çmimet e blerjes kanë rënë ndjeshëm. Kultivuesit shprehen se shpenzimet e larta të prodhimit, bashkë me vështirësitë e mëdha në sigurimin e tregjeve, po i vendosin ata në një pozitë tejet të vështirë ekonomike.
Një prej fermerëve me përvojë në këtë fektor, Amet Ismaili nga Sellarca e Tetovës, shpjegon se tregu vendor është i ngopur, pasi vendi ka kapacitete prodhimi që i tejkalojnë nevojat e brendshme.
"Ky ka qenë viti më cilësor sepse temperaturat e verës ishin të më të ngrohta dhe nuk pati dështime. Pra ka kuantitet më shumë se sa vitet tjera. Tregu në Maqedoni është i vështirë sepse kur ka prodhim ka shumë mollë dhe nuk eksportohet dhe bëhet problem, sepse Maqedonia ka më tepër mollë se sa i nevojitet, dhe me automatizëm bie çmimi, pra është shumë i dobët dhe nuk ke llogari ta shesësh sepse kostoja e prodhimit është më e lartë se sa që merren momentalisht në treg", u shpreh Amet Ismaili, kultivues i mollëve.
Krahas mungesës së plasmanit, Ismaili thekson se një tjetër sfidë madhore për sektorin bujqësor mbetet mungesa e infrastrukturës adekuate për ruajtjen e prodhimit, duke i bërë thirrje ekzekutivit që të ndërmarrë hapa konkretë.
"Depot ku duhet të ruhen mollët mungojnë në vendin tonë, andaj apeloj Ministrinë e Bujqësisë që më shumë të investoj në këtë drejtim dhe në paketimin e mollëve se ka nevojë vendi", deklaroi më tej Amet Ismaili.
Për shkak të mungesës së shitjes me shumicë dhe çmimeve tejet të ulëta, sasi të mëdha të këtij fruti rrezikojnë të kalben, ndërkohë që gjithnjë e më shumë bujq po mendojnë të heqin dorë përfundimisht nga ky aktivitet bujqësor.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: