Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Sakrifica e çiklistes afgane: Si u maskua si djalë dhe sfidoi talebanët për t'iu bashkuar Lojërave Olimpike

Redaksia Lajmetereja • 24-10-2026 13:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Sakrifica e çiklistes afgane: Si u maskua si djalë dhe sfidoi talebanët për t'iu bashkuar Lojërave Olimpike
Kjo është historia frymëzuese e çiklistes afgane Fariba Hashimi, e cila sfidoi dhunën, diskriminimin dhe regjimin taleban për të ndjekur pasionin e saj për sportin. E rritur në një mjedis tejet konservator, ajo bashkë me motrën e saj, Yulduz, detyroheshin të maskonin identitetin e tyre thjesht për të dalë me biçikletë. "Duhej të vishesha si djalë, që njerëzit të mos kuptonin se isha vajzë", tregon Fariba, duke kujtuar peripecitë e kaluara. Megjithë kërcënimet dhe sulmet e vazhdueshme, ajo nuk u thye kurrë. "Sapo filloja të pedaloja, ndihesha si një zog që mund të fluturonte. Kjo ndjesi ishte më e fortë se frika", rrëfen ajo. Rikthimi i talebanëve në pushtet më 2021 i detyroi dy motrat të braktisnin atdheun dhe familjen e tyre. Falë mbështetjes nga komuniteti ndërkombëtar i çiklizmit, Fariba dhe Yulduz arritën të strehoheshin në Itali, ku nisën sërish nga e para rrugtimin e tyre sportiv. Gjatë Lojërave Aziatike, Fariba rrëmbeu medaljen e argjendtë, pavarësisht se garoi pa mbështetjen e një ekipi zyrtar apo mekaniku. "Unë isha mekanikja e vetes. E rregulloja dhe e laja vetë biçikletën", kujton ajo, duke shtuar se asistenca e çiklistëve japonezë gjatë garës ishte jetike për suksesin e saj. Për ta, kjo medalje ka një peshë shumë më të madhe sesa një trofe i zakonshëm sportiv. "Kjo medalje nuk është vetëm e imja. Ajo u përket të gjitha grave afgane", shprehet atletja, e cila aspiron të jetë zëri i fuqishëm i vajzave që sot u mohohet e drejta për të studiuar, punuar apo ushtruar sport. Pasi shkroi histori duke marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” përkrah motrës, ajo tashmë ka nisur planet dhe përgatitjet për “Los Anxhelos 2028”. Pavarësisht sukseseve ndërkombëtare, aspirata e saj më e madhe mbetet kthimi në vendlindje për të pedaluar e lirë dhe pa frikë. "Shpresa ime më e madhe është që vajzat e brezit të ardhshëm të mos kenë nevojë të largohen nga vendi i tyre për të ndjekur ëndrrat", përfyll rrëfimin e saj Fariba Hashimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar