Sport
Kriza financiare kaplon sportin kosovar: Vonesat e buxhetit rrezikojnë garat dhe aktivitetet e federatave
Reklamë e Sponsorizuar
Sporti kosovar po përballet me një alarm të kuq financiar, si pasojë e ngecjeve në disbursimin e fondeve të parapara përmes memorandumeve të bashkëpunimit me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Kjo situatë e tensionuar po paralizon mbarëvajtjen e aktiviteteve të rregullta, duke u prerë hovjin sportistëve në arenën ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e shtëpive të sportit dhe ish-zyrtarë të kësaj fushe shprehen se ngecja e buxhetit po e bën pothuajse të pamundur funksionimin e tyre normal, duke vënë në rrezik pjesëmarrjen në ngjarje të rëndësishme evropiane dhe botërore.
Kryetari i Federatës së Kickboksit të Kosovës, Fatmir Makolli, pranon hapur se situata e rënduar ekonomike po e detyron këtë institucion sportiv të reduktojë ndjeshëm numrin e garuesve në ngjarjet ndërkombëtare.
“Si çdo federatë, edhe ne jemi duke u ballafaquar me këtë problem. Dihet se për të marrë pjesë në kampionat, kupa botërore apo diçka në arena ndërkombëtare, nuk mund të shkosh pa mjete. Federata e Kickboxit të Kosovës gjithmonë është duke u tkurrur, për të shkuar në numër sa më të vogël për shkak të mjeteve. Këtë vit diçka, nuk e di, çfarë po bëhet që s'ka funksionuar. Ne i kemi nënshkruar memorandumet, gjithmonë na kanë përkrahur. Unë nuk e di çfarë është problemi tani te Qeveria... Besoj se Ministria e Sportit duhet të bëjë çmos të na i kryejë obligimet, sepse ne kemi obligime. Çdo federatë, çdo kryetar ka obligime ndaj dikujt”, deklaroi Makolli.
Duke vënë theksin te rëndësia e imazhit shtetëror, ai kujton se sportistët janë ambasadorët më të mirë të Republikës së Kosovës në botë, ndaj mbështetja institucionale nuk duhet të jetë kurrë temë diskutimi apo neglizhence.
“Unë nuk e lë federatën të shkojë dëm për 200 euro, se më së pari e sakrifikoj atë 200 euro për me i dhënë, se e dua sportin dhe nuk dua me mbet keq për 100 apo 200 euro. Por, kur janë mjetet shumë, askush nuk ka mjete të jep ashtu. Kur ne e prezantojmë shtetin, e ngremë shtetin në arenën ndërkombëtare. Mjetet as nuk duhet të diskutohen, as nga Ministria e Sportit, as nga shteti i Kosovës, sepse dihet që ambasadori më i mirë i shtetit është sportisti”, u shpreh ai.
Një shqetësim të ngjashëm ndan edhe Lavdim Zylfiu, zëvendësdrejtor i Federatës së Golfit të Kosovës. Sipas tij, dinamika e vonuar e mjeteve po krijon ngërç të madh operacional, sidomos duke marrë parasysh karakterin sezonal të kësaj disipline dhe mbylljen e afërt të kushteve klimatike të përshtatshme për lojë.
“Federata e Golfit për çdo vit e nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Sportit, ashtu siç bëjnë edhe kolegët tanë. Ne kemi nënshkruar edhe këtë vit një memorandum për të cilin tash jemi në prag të muajit nëntor dhe janë vonuar mjetet e gjysmë mujorit të dytë, e ne jemi në mujorin e katërt, pra pothuajse po mbyllet viti. Edhe javën e ardhshme, pothuajse mbyllen shumica absolute e fushave të golfit në Evropë dhe loja e golfit zhvendoset në Spanjë, Portugali, Turqi, Qipro, pra në vende që kanë diellin më të gjatë. Edhe kjo na shkakton shumë problem ashtu siç i shkakton problem për shembull Federatës së Skitarisë mungesa e financave gjatë dimrit... Besoj që do ta kemi së shpejti edhe një takim me ministrin, zyrtarët e Ministrisë së Sportit, për arsye se këtë vit ka ndodhur një ndryshim ku federatat janë obliguar t’i bëjnë disa ndryshime për arsye të kategorizimit të sporteve që do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm”, përfundoi Zylfiu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: