Politikë
Thirrje nga Vlora Çitaku për Luginën: Mobilizim masiv në votime për një zë më të fortë në Parlamentin e Serbisë
Reklamë e Sponsorizuar
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka ftuar bashkëkombësit në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor të nesërm, duke mbështetur Koalicionin Shqiptar.
Sipas Çitakut, prania e një numri sa më të lartë të ligjvënësve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë garanton një mbrojtje më të fuqishme të të drejtave dhe interesave të tyre legjitime.
"Votoni Koalicionin Shqiptar me numrin 17! Nesër, më 25 tetor, Koalicioni Shqiptar, me numrin 17, garon për përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë. U bëj thirrje shqiptarëve, posaçërisht atyre në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të votojnë masivisht dhe me vendosmëri Koalicionin Shqiptar me numrin 17. Sa më shumë deputetë shqiptarë në Parlament, aq më shumë përfaqësim, mbrojtje, të drejta e fuqi për shqiptarët. Aq më shumë mundësi për t’u përballur me politikat diskriminuese dhe përndjekëse ndaj tyre", ka shkruar ajo.
Në mesazhin e saj, ajo ka kërkuar një angazhim shtesë nga qytetarët që të ndikojnë te të tjerët për të dalë në qendrat e votimit.
"Prandaj, nesër, secili shqiptar e secila shqiptare jo vetëm të votojë, por edhe të bëhet pjesë e mobilizimit, që çdo votues shqiptar të dalë në zgjedhje. Ky është një moment përcaktues për shqiptarët atje. Le të jetë një ditë e madhe për të gjithë! Suksese!"
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: