Rohde i shqetësuar për anulimin e konferencës së Trendafilovas

Publikuar më: 14-05-2025 09:47
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se anulimi i konferencës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pas presionit të veteranëve të UÇK-së, ngreh shqetësime të mëdha. Ai ka shkruar në platformën e tij në “Bluesky” se autoritetet kosovare duhet të sigurohen që Dhomat e Specializuara “të mund të kryejnë punën e tyre pa pagesa”, derisa shtoi se ky institucion është pjesë e sistemit ligjor të Kosovës. “Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe informimi i publikut është një shtyllë thelbësore mbi mandatin e saj. Anulimi i konferencës për media pas presionit nga veteranët e UÇK-së ngre shqetësime të mëdha. Autoritetet duhet të sigurojnë që gjykata të mund ta kryejë punën e saj pa pengesa”, ka deklaruar Rohde. Trendafilova të martën anuloi konferencën pas protestës që bënë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata u shprehën kundër vizitës së saj në Kosovë, duke u shprehur se “vizita e saj është vetëm për të keqen e Kosovës”. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ia ka shprehur shqetësimet në lidhje me punën e Dhomave të Specializuara, kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në një takim të martën. Sipas një njoftimi për media, çështjet e diskutuara ishin bazuar në shqetësimet e ngritura nga palët. Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime nëse po garantohet gjykim i drejtë dhe i paanshëm për të akuzuarit. Këtu ai ka përmendur sigurimin e provave nga Serbia, që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës tash po akuzohen për krime lufte.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu