Politikë
Lëvizja Vetëvendosje i hap rrugë zgjedhjeve të brendshme, Kurti mbledh strukturat partiake
Reklamë e Sponsorizuar
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pajtimin në parim për hapjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme, pas një takimi të zhvilluar me drejtuesit e degëve të saj në vend dhe diasporë.
Takimi u mbajt në selinë qendrore të subjektit, ku morën pjesë kryetari i partisë dhe njëkohësisht kryeministri i vendit, Albin Kurti, sekretari organizativ Alim Rama, koordinatori i qendrave Salih Zyba, si dhe anëtarë të Kryesisë Qendrore.
Gjatë kësaj tryeze u shqyrtua gjendja aktuale politike, ecuria e institucioneve, prioritetet e ekzekutivit, si dhe hapat e ardhshëm politikë dhe organizativë të forcës politike.
Kryetari Kurti shprehu mirënjohjen e tij për strukturat, udhëheqësit e qendrave, aktivistët dhe anëtarësinë kudo në Kosovë dhe jashtë saj, për kontributin dhe përkushtimin e treguar.
“Angazhimi i tyre, nga secila lagje e fshat, në çdo komunë të Kosovës dhe gjithandej mërgatës sonë, ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të forcës politike dhe organizative të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftim.
Për periudhën në vijim, subjekti politik thekson se fokus i saj do të jetë puna institucionale, përmbushja e premtimeve programore dhe shtytja përpara e reformave.
“Me konsolidimin e institucioneve të Republikës, synimet dhe përgjegjësitë tona janë të qarta, punë e përditshme, e ndershme dhe e palodhshme në shërbim të qytetarëve, zbatim i zotimeve tona programore dhe avancim i reformave që fuqizojnë shtetin, zhvillojnë ekonominë dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve”, vijon njoftimi.
Një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve u përqendrua te organizimi i brendshëm, me theks të veçantë te përgatitjet për zgjedhjet e brendshme, ku pas shkëmbimit të mendimeve u arrit dakordësia parimore për këtë proces.
Ky proces u cilësua si një ngjarje me rëndësi jetike demokratike që synon përtëritjen dhe fuqizimin e mekanizmave partiakë.
“Ato janë mundësi për mobilizim më të fuqishëm organizativ, për zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë, për avancimin e kuadrove dhe për forcimin e lidhjes së drejtpërdrejtë të Lëvizjes me qytetarët në çdo nivel të organizimit”, thuhet në deklaratë.
Nga kjo lëvizje bëhet e ditur se synimi përmes këtij cikli zgjedhor është konsolidimi i qendrave komunale dhe ngritja e gatishmërisë për sfidat e ardhshme elektorale, posaçërisht në nivelin lokal.
“Qytetarët tanë kanë nevojë për qeverisje lokale që vendos interesin publik mbi interesat e ngushta, që sjell zhvillim të barabartë, shërbime cilësore, transparencë dhe përgjegjshmëri”, shtohet tutje.
Në fund të njoftimit, Lëvizja Vetëvendosje rikonfirmoi përkushtimin për intensifikimin e punës dhe zgjerimin e shtrirjes në dobi të qytetarëve.
“Organizim më i fortë, angazhim më i madh dhe më shumë punë për qytetarët, në çdo komunë të Republikës, në secilën lagje e fshat”, përmbyllet komunikata.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: