Politikë
Zgjedhjet në Serbi: Lidershipi i Luginës bën thirrje për bashkim dhe mobilizim masiv në votime
Reklamë e Sponsorizuar
Në prag të procesit zgjedhor parlamentar në Serbi, krerët e subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës, të garimit të përbashkët në një listë unike, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime.
Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, ka theksuar se angazhimi i ardhshëm parlamentar do të fokusohet te avancimi i kërkesave historike të shqiptarëve të kësaj zone.
“Shtruarja edhe më tejshme e kërkesave tona, që janë një vazhdimësi e kërkesave që nga 2001, 2009, 2013, 2022, në raport me qeverinë e re, në raport me ndërkombëtarët dhe sidomos në proces të lobimit për të drejtat e shqiptarëve, janë ato fusha të cilat do të orientohemi dhe do të organizohemi të punojmë si deputetë të nesërm, pra, në parlament”, ka deklaruar Kamberi.
Ndërkaq, Visar Mehmeti, kryetar i Alternativës për Ndryshim, ka shprehur optimizëm për rikthimin e unitetit politik dhe përfaqësimin e suksesshëm në Kuvendin e Serbisë.
“Këtë herë më në fund jemi bërë bashkë pas 6 viteve, edhe unë me padyshim… me shumë bindje besoj dhe shpresoj se këtë herë mund të arrijmë prapë të tretin në parlamentin e Republikës së Serbisë”, u shpreh Mehmeti.
Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Shqiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, i cili ka vënë theksin te rëndësia e mbështetjes mbarëkombëtare për shqiptarët e Luginës.
“Shqiptarët kërkojnë të drejtat e veta në këtë pjesë dhe orientimi politik është që bashkë me Kosovën, Shqipërinë dhe faktorin kombëtar që të përcjellin një mesazh për shqiptarët e Luginës së Preshevës që më 25 dhjetor të dalin populli shqiptar masovikisht në këtë pjesë, të votojnë për Koalicionin Shqiptar me numër 17”, tha Musliu.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar se ky bashkim politik përbën një shans historik për fuqizimin e faktorit shqiptar në institucionet qendrore dhe për ndërkombëtarizimin e halleve dhe sfidave me të cilat përballen banorët e kësaj treve.
Thirrjeve për pjesëmarrje aktive në zgjedhje iu është bashkuar zyrtarisht edhe Këshilli Kombëtar Shqiptar, duke kërkuar nga qytetarët që të tregojnë përgjegjësi të lartë qytetare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: