Aktuale
Mungesa e meritokracisë në Mjekësi: Studentja shpërthen ndaj favoritizimit të fëmijëve të politikanëve
Reklamë e Sponsorizuar
Dhimitra Nushi, studente e vitit të katërt në Fakultetin e Mjekësisë, ka folur rreth protestës masive të paralajmëruar për të shtunën, duke vënë në dukje se mungesa e theksuar e meritokracisë mbetet një nga arsyet kryesore që po i detyron të rinjtë të ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Gjatë një prononcimi, ajo ka ngritur shqetësimin për padrejtësitë në shpërndarjen e kuotave, duke theksuar se mundësitë shpesh u jepen fëmijëve të zyrtarëve të lartë, si deputetë dhe ministra, në kurriz të studentëve të tjerë.
“Presim që nesër në protestë të na bashkohet edhe diaspora, por edhe studentët, qytetarët e thjeshtë dhe nxënësit e shkollave, si dhe studentët që nuk kanë pasur mundësi të na bashkohen gjatë javës. Unë jam duke protestuar sepse dua sigurinë që nesër, kur të dal në tregun e punës, të konkurroj me ndershmëri dhe barazi, pra të ketë meritokraci. Mendoj se nuk ka meritokraci, sepse të gjithë e dimë të vërtetën”, u shpreh ajo në emisionin “Review”.
Duke u ndalur te dega e saj, Nushi shtoi se numri i kufizuar i kuotave në Shqipëri shpesh përfundon në duart e familjarëve të politikanëve.
“Po flas për fushën time: në Shqipëri ka shumë pak kuota dhe, nga ato që kam parë, i ka marrë gjithmonë vajza e deputetit, djali i ministrit, vajza e ministrit apo personi X. Pra, nuk ka pasur meritokraci për studentin apo specializantin që vërtet e ka merituar”, shtoi ajo.
Në fund, studentja e Mjekësisë bëri me dije se shumë të rinj me rezultate të shkëlqyera dhe mbajtës bursash po detyrohen të largohen jashtë vendit për të vijuar specializimet, duke u shkëputur kështu nga familjet e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: