Kronikë
Larg skenave dhe ritmeve të babait: Pse djali i Bruce Springsteen zgjodhi uniformën e zjarrfikësit
Reklamë e Sponsorizuar
Në vend që të ngjitej në skenat muzikore të ndriçuara nga dritat e famës, Samuel Springsteen zgjodhi një rrugë krejtësisht ndryshe nga prindërit e tij të njohur, duke vendosur t'i përkushtohet jetës si zjarrfikës.
Samuel Ryan Springsteen, 32 vjeç, është më i Riu nga tre fëmijët e legjendës së muzikës Bruce Springsteen, 77 vjeç, dhe bashkëshortes së tij, këngëtares Patti Scialfa, 72 vjeç. Çifti ka gjithashtu dy fëmijë të tjerë, djalin Evan James, 36 vjeç, dhe vajzën Jessica Rae, 34 vjeçe.
Megjithëse u rrit në një ambient të zhytur në industrinë e muzikës, Sam ushqente prej kohësh dëshirën e zjarrtë për t'u bërë pjesë e shërbimit të shpëtimit. Ai nisi përpjekjet konkrete për ta shndërruar këtë synim në realitet shumë kohë përpara se të vishte zyrtarisht uniformën.
Më 15 janar 2014, Patti Scialfa ndau me ndjekësit në rrjetin social Instagram lajmin se i birit i kishin kurorëzuar përpjekjet duke përfunduar Akademinë e Zjarrfikësve të Qarkut Monmouth. Pas këtij diplomimi, Henry Stryker III, drejtues i shërbimit zjarrfikës në atë qark, pati vetëm fjalë lëvdimi për angazhimin e Sam.
“Ai është shumë i zgjuar. I pëlqente ajo që po bënte”, pati deklaruar Stryker për rrjetin USA Today Network New Jersey.
Udhëtimi i të riut vijoi me hapa të sigurt edhe në vitet në vijim. Në vitin 2017, ai kaloi provimin e shërbimit civil si pjesë e domosdoshme e procedurave për t'u bërë zjarrfikës në New Jersey, ndërsa fitoj gjithashtu përvojë të vlefshme përmes punës si vullnetar.
Një dëshmi e guximit të tij u regjistrua në vitin 2016, kur ai dhe një koleg vullnetar ndërhynë me sukses për të shpëtuar një peshkatar që kishte mbetur i bllokuar në baltë, sipas informacioneve të publikuara nga Cape May County Herald.
Përkushtimi shumëvjeçar mori formë përfundimtare në janar të vitit 2020, kohë kur Sam u bë pjesë e grupit prej 15 personash që u betuan zyrtarisht si zjarrfikës të qytetit Jersey City. Ceremonia solemne u mbajt në bashkinë e qytetit nën drejtimin e kryetarit të atëhershëm, Steven Fulop. Në atë ngjarje të rëndësishme, rokeri i famshëm Bruce Springsteen nuk e fshehu dot gëzimin dhe krenarinë për të birin.
“Kjo është dita e djalit tim, ndaj unë po qëndroj mënjanë. Jemi shumë krenarë. Ishte një rrugëtim i gjatë. Ai ka qenë shumë i përkushtuar për disa vite dhe sot jemi thjesht të emocionuar për të”, u shpreh artisti gjatë një prononcimi për ABC7.
Edhe bashkëshortja e tij, Patti Scialfa, e përjetoi me shumë ndjenjë këtë arritje, duke publikuar në Instagram një imazh të djalit dhe duke e uruar përzemërsisht për këtë hap të madh.
“Ndiqe ëndrrën tënde! Jam shumë krenare dhe e lumtur për ty! Urime të gjithëve që ishin aty dje. Faleminderit dhe qëndroni të sigurt!”, shkroi ajo në mesazhin e saj.
Një zgjedhje jetësore largnë botën e argëtimit
Vendimi i Sam për të kërkuar suksesin larg dritave të skenës përputhet plotësisht me qasjen që Bruce dhe Patti kanë ndjekur në edukimin e fëmijëve të tyre gjatë gjithë këtyre viteve.
Në një rrëfim për The New York Times dhënë në vitin 2017, këngëtari tregonte për rëndësinë e lirisë që fëmijët të ndiqnin pasionet e tyre personale, pa u ndier të ngarkuar nga hija e famës prindërore.
“Fëmijët tanë erdhën në jetë kur ne ishim më të rritur. Unë isha 40 vjeç kur lindi djali ynë i parë. Gjatë gjithë këtyre viteve, ata kanë treguar një mungesë të shëndetshme interesi për punën tonë”, shpjegonte Springsteen.
Ai shtonte se të rinjtë kishin idhujt dhe shijet e tyre muzikore, madje shpesh tregoheshin indiferentë kur dëgjonin të përmendeshin këngët e tij.
“Gjithmonë e kam konsideruar këtë si një shenjë se e kishim bërë mirë punën tonë si prindër”, përfundonte kantautori i njohur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: