Politikë
Gjenerata rekord në FSK, Kurti: Mbi 1 miliard euro investime për ushtrinë tonë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 515 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ngjarje e cila u zhvillua në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. Kjo përbën gjeneratën më të madhe në historinë e ushtrisë kosovare.
Në këtë ceremoni solemne morën pjesë gjithashtu ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, krahas oficerëve, nënoficerëve dhe zyrtarëve të lartë të ministrisë. Duke iu drejtuar rekrutëve të rinj, shefi i ekzekutivit i ftoi ata që ta ushtrojnë detyrën e tyre fisnike me ndershmëri, përgjegjësi dhe vetëdije të lartë në shërbim të shtetit.
Kreu i qeverisë theksoi se pas uniformës ushtarake qëndron e gjithë shoqëria e Kosovës dhe aspirata e saj për të ndërtuar të ardhmen në paqe. Duke u shprehur se këta 515 qytetarë përfaqësojnë pushkë shtesë për sigurinë dhe garantues të rinj të paqes, ai kujtoi se liria është fituar me mund e sakrifica të mëdha ndër breza.
Kurti përmendi rëndësinë historike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kujtimin e dëshmorëve e martirëve, duke potencuar se figura dhe vepra e kryekomandantit legjendar Adem Jashari mbeten udhërrëfyes i përjetshëm i vetëmohimit për atdheun. Ai evokoi rezistencën e shtrirë në çdo cep të vendit, nga Drenica te Dukagjini, dhe nga Llapi te Anamorava.
Duke e cilësuar ushtrinë si njërën nga shtyllat kryesore të shtetësisë, kryeministri garantoi se zhvillimi i saj mbetet obligim institucional për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës. Në këtë linjë, ai bëri të aqtë zotimin se qeveria do të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: