Samadrexha drejt lavdisë në Hendboll, Basholli: Finalja nuk luhet, finalja fitohet!
Publikuar më: 13-05-2025 17:32
“Sot, me punë të palodhur, përkushtim dhe unitet, jemi më afër se kurrë për të bërë historinë,” ka deklaruar për gazetën “Bota sot” Besnik Basholli, presidenti i klubit të hendbollit Samadrexha, në prag të finales së madhe kundër Istogut, që zhvillohet nesër në ora 20:00 në Banjë të Istogut.
Pas më shumë se 18 vitesh, Samadrexha rikthehet në skenën e madhe të hendbollit femëror, me synimin e qartë për ta kthyer titullin në një fshat që jeton me këtë sport. Finalja e parë e play-off-it është hapi vendimtar drejt ëndrrës së madhe.
“Që nga dita e parë e ardhjes sime në klub, kam pasur një vizion të qartë: rikthimin e identitetit dhe krenarisë së Samadrexhës. Vajzave ua kam thënë gjithmonë: ‘Finalja nuk luhet, finalja fitohet!’”, nënvizoi Basholli.
Ai shtoi se përveç përkrahjes morale, ka premtuar edhe premia motivuese për ekipin dhe stafin teknik:“Ato janë të etura për titull dhe do të japin gjithçka në fushë. Investimi në to është një mision që ia vlen çdo sakrificë.”
Basholli e sheh këtë finale si një moment kthese për të ardhmen e klubit:“Le të jetë kjo finale fillimi i një epoke të re për Samadrexhën!” – përfundoi ai për “Bota sot”.