Veteranët protestojnë kundër vizitës së Trendafilovas
Publikuar më: 13-05-2025 10:02
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur protestën kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Ata po protestojnë para hotelit ku Trendafilova pritet të mbajë konferencë për media.
Organizatat e dala nga lufta në një reagim të përbashkët kanë deklaruar të hënën se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara është e papranueshme dhe fyerje.
Ata kanë thënë se vizita e saj s'ka asgjë të përbashkët me drejtësinë dhe transparencën, teksa përmenden edhe “qasjen arrogante të Gjykatës Speciale”.
“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie”, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër! Ne, OVL, SHIL dhe SHFD, ritheksojmë kundërshtimin tonë të plotë dhe të palëkundur ndaj kësaj vizite. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, dhe i ftojmë të gjithë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura, të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës sonë të përbashkët”, thuhet në reagim.