Politikë
Jakup Krasniqi refuzon trajtimin mjekësor në Hagë: Më kanë mohuar çdo të drejtë për gjashtë vite
Reklamë e Sponsorizuar
Gresa Krasniqi, vajza e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ndarë shqetësimin e saj të thellë rreth gjendjes shëndetësore dhe vendimit të të atit, pas një bisede telefonike që ka pasur me të.
Sipas dëshmisë së saj, Krasniqi ka refuzuar vizitat nga ekipi mjekësor në qendrën e paraburgimit në Hagë, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se a po trajtohet gjatë kohës që mbahet atje.
Në një postim publik, ajo ka pasqyruar fjalët e të atit gjisedhës së bisedës: “Para një muaji, Babi u dënua me 25 vjet burgim. Sot, gjatë një telefonate, më tha: 'Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre'”.
Megjithëse është e shqetësuar për vendimin e tij, duke marrë parasysh edhe moshën dhe nevojën për kujdes shëndetësor, Gresa ka theksuar se e kupton revoltën e tij morale dhe njerëzore përballë sistemit aktual.
“Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Ajo ka shtuar se ndihet e pafuqishme përballë vendimeve të tilla ndërkombëtare, të cilat i cilëson si thellësisht të padrejta, ndërsa ka përcjellë mesazhin e saj mbështetës për të atin: “Si mund t’i kërkoj të pranojë kujdesin e atyre institucioneve, kur ai ndihet i tradhtuar pikërisht nga drejtësia që duhej ta mbronte? U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë. Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.” Kaq pata fuqi t’i them. Dënimi i Babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: