Kronikë
I premtonte punësim në AKI kundrejt pagesave, vihet në pranga 39-vjeçari për mashtrim
Reklamë e Sponsorizuar
Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet D.N., i cili dyshohet se gjatë periudhës nga fillimi i vitit 2025 e deri në momentin e denoncimit, është shtirur si zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Sipas autoriteteve, ai u ka marrë shuma të ndryshme parash qytetarëve me premtimin se do t'i punësonte në këtë institucion shtetëror.
Pas ndalimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pas një kallëzimi për mashtrim të regjistruar në muajin tetor të këtij viti.
"Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e veprave penale, si dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet dhe keqpërdorimi i besimit të tyre," theksohet në komunikatë.
Lidhur me këtë ngjarje, autoritetet u kanë bërë thirrje publike qytetarëve që të tregojnë vigjilencë të lartë ndaj individëve që premtojnë punësim në institucione publike në këmbim të përfitimeve financiare, duke i inkurajuar që raste të tilla t'i denoncojnë menjëherë në Policinë e Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: