Politikë
Ndahet nga jeta figura e shquar e lobit shqiptar në SHBA, Bill dhe Hillary Clinton përcjellin mesazhin prekës për Osman Osmanin
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, i kanë dërguar një mesazh ngushëllimi familjes dhe miqve, me rastin e ndarjes nga jeta të Osman Osmanit, njërit ndër themeluesit e lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një letre prekëse, çifti i njohur amerikan ka evokuar kujtimet me Osmanin, i cili ka qenë fqinji i tyre prej vitit 1999.
“Zemrat tona janë pranë të gjithë atyre që janë mbledhur sot për të nderuar jetën e mikut dhe fqinjit tonë të dashur, Osman Osmani. Ne e takuam Osmanin dhe familjen e tij në vitin 1999, jashtë shtëpisë së tij në Chappaqua, Nju Jork, përballë shtëpisë që sapo kishim blerë. Zemra e tij e mirë dhe shpirti i tij bujar u dëshmuan që në takimin tonë të parë, kur ai na prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, e cila po qëndronte në shtëpinë e tij”, shkruhet në letrën e familjes Clinton.
Në vazhdim të mesazhit, Bill dhe Hillary Clinton kanë shprehur falënderimet e tyre të sinqerta për mikpritjen, marrëdhënien e ngushtë miqësore dhe natyrën gazmore që e karakterizonte atë.
“Osmani ishte një njeri i mrekullueshëm dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e tij të mirë. Mendimet dhe lutjet tona janë me fëmijët e Osmanit, me gjithë familjen e tij, me miqtë e shumtë dhe me të gjithë ata që patën fatin dhe bekimin ta njihnin”, thuhet në përfundim të telegramit të ngushëllimit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: