Kronikë
Kontrabandë me gjedhe nga Serbia, Policia ndërhyn në Kamenicë
Reklamë e Sponsorizuar
Policia e Kosovës ka raportuar se gjatë një aksioni kundër kontrabandës në zonën kufitare me Serbinë, ka sekuestruar 14 krerë gjedhe në Komunën e Kamenicës.
Sipas Policisë, aksioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Stacionin Policor për Menaxhim Kufitar në Muqivercë.
Pas sigurimit të informacioneve operative, njësitet policore kanë ndërhyrë në zonën kufitare Desivojcë–Sedllar, ku kanë ndaluar një kamion të tipit Mercedes, i cili po lëvizte nga Serbia përmes rrugëve malore në drejtim të fshatit Sedllar.
Drejtuesi i kamionit, i cili është identifikuar nga Policia, është larguar nga vendi i ngjarjes duke e braktisur automjetin. Gjatë kontrollit, në kamion janë gjetur shtatë krerë gjedhe.
Ndërkohë, pas hetimeve të mëtejshme, Policia ka identifikuar edhe një stallë në fshatin Muqivercë, ku dyshohej se ishin shkarkuar gjedhe nga i njëjti kamion.
Me urdhër të prokurorit, është kryer kontroll në këtë objekt, ku janë gjetur edhe shtatë krerë të tjerë gjedhe, të cilët pas verifikimit nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë janë sekuestruar për procedura të mëtejshme.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: