Aktuale
Kriza në Torino thellohet: Juventusi ndëshkon me gjobë Gleison Bremerin pas deklaratave të forta
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtuesit e Juventusit kanë vendosur të ndërmarrin masa disiplinore ndaj qendërmbrojtësit Gleison Bremer, duke e gjobitur atë pas deklaratave kritike që dha në adresë të bashkëlojtarëve të tij pas disfatës së rëndë të dielën në Serie A, ku bardhezinjtë u mposhtën 3-0 në shtëpi nga Lazio.
Kjo ndeshje la pas një atmosferë tejet të zymtë për gjigantin e Torinos, i cili tani ka rënë në pozitën e tetë në tabelën e klasifikimit. Pas vetëm shtatë ndeshjeve të zhvilluara në këtë edicion të ri, skuadra tashmë gjendet plot tetë pikë larg kreut të tabelës, duke rritur tensionet brenda dhe jashtë fushës.
Rezultatet zhgënjyese nxitën pakënaqësi të mëdha te tifozët, disa prej të cilëve kërkuan shkarkimin e Luciano Spallettit, ndërsa në tribuna pati edhe incidente fizike mes vetë mbështetësve, shenjë kjo e krizës së thellë që po kalon klubi.
Në këtë duel, Bremer mbajti shiritin e kapitenit në mungesë të Manuel Locatellit, por emri i tij u vu në qendër të vëmendjes për shkak të fjalëve të ashpra në intervistën e pas ndeshjes. Pa përmendur emra konkretë, ai kritikoi hapur disa nga lojtarët, duke i akuzuar se po sillen si “frikacakë” dhe po tentojnë të “fshihen” gjatë lojës në fushë.
“Është e vërtetë, trajneri na jep udhëzime, por jemi ne ata që duhet t’i zbatojmë ato në fushë”, pat deklaruar mbrojtësi brazilian menjëherë pas përfundimit të takimit.
“Megjithatë, në fushë janë 11 lojtarë, plus pesë të tjerë që hyjnë nga stoli, prandaj nuk mund t’i mbaj të gjithë mbi supe. Mundohem t’i ndihmoj, flas me ta, por secili ka karakterin e vet. Mund t’i shtyjmë deri në një pikë të caktuar, por kaq. Disa kanë më shumë karakter se të tjerët”, kishte shtuar më tej ai.
Pas zhvillimeve të fundit, Bremer ka kërkuar falje publike dhe brenda grupit për fjalët e thëna, ndërkohë që është vënë në dijeni për vendimin e klubit për ta gjobitur, një dënim të cilin mbrojtësi e ka pranuar pa kundërshtime.
Gjatë rikthimit në qendrën stërvitore në Continassa, situata është konsideruar si mjaft e ndjeshme, por vetë mbrojtësi mori iniciativën për të folur hapur me shokët e skuadrës, veprim ky që u mor me pozitivitet nga pjesa tjetër e grupit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: