Politikë
E ardhmja e PDK-së pas Hamzës, flet Ramiz Lladrovci: Çfarë i duhet partisë?
Reklamë e Sponsorizuar
Zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike të Kosovës, veçanërisht paralajmërimi i Bedri Hamzës se nuk do të kërkojë një mandat tjetër në krye të subjektit, kanë vënë në lëvizje debatin publik rreth udhëheqjes së ardhshme politike.
Në një prononcim për mediat, figura e njohur e kësaj partie, Ramiz Lladrovci, ka analizuar situatën aktuale, duke bërë thirrje për transformim rrënjësor, një opozitë shumë më dinamike dhe hapa të guximshëm që do t'i japin një drejtim të ri organizatës politike.
Sipas Lladrovcit, PDK-ja duhet ta intensifikojë qasjen opozitare përmes ideve të prekshme dhe zgjidhjeve funksionale për vendin, ndërkohë që ka shprehur rezervat e tij për një farë tolerance që është treguar ndaj dukurive negative brenda strukturave partiake.
Duke folur për pasardhësin e mundshëm të Hamzës, ai ka theksuar se megjithëse emri mbetet për t'u parë, formacioni politik ka nevojë urgjente për një drejtues imun ndaj agjendave personale, i cili do të udhëheqë ndryshime thelbësore të mbështetur nga një staf profesionistësh.
I pyetur se si e vlerëson vendimin e Bedri Hamzës për të mos u rikandiduar, Lladrovci u përgjigj: “Paralajmërimin e Bedri Hamzës e shoh rrugë në dritën e zhvillimeve pas vendimit në Hagë, diskutimeve për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ku shihet se me çfarë oponentëve ka të bëj por edhe me sfidën e PDK-së që duhet të bëhet tjetër nëse do të jetë faktor i jetës tonë politike.”
Në lidhje me arsyet e mundshme prapa këtij hapi, Lladrovci shtoi: “Unë nuk i di arsyet e tij, por, pres rivlerësimin e veprimit opozitar të PDK-së, për fuqizimin e kauzave me ide, propozime dhe zgjidhjet më të mira për vendin, në kohën e kësaj krize si asnjë herë më parë, rënies së motivit për të ndërtuar dhe çuar përpara agjendën euro-atlantike, projektet jetike për qytetarët, largimin e të rinjve, inflacionin dhe sfidat me Pisa-s, shëndetësinë, bujqësinë dhe fushat tjera si dhe ballafaqimin me shtetin e varfërisë, pashpresës e pa perspektivës për të jetuar, për të punuar dhe për të investuar në Kosovë.”
Lidhur me profilin e liderit të ardhshëm, ai u shpreh prerë: “Nuk e di se kush mund të zgjidhet kryetar i PDK-së pas procesit të brendshëm zgjedhor, megjithatë, një e di se veprimet e njëjta sjellin rezultate të njëjta. Kosova ka nevojë për opozitë aktive e të arsyeshme, punëtore e atdhetare, për të merituar besimin qytetar. PDK-së nuk i shkon rroli i strucit as neutraliteti ndaj gjendjes ku ndodhemi. Kosova është pa miq, pa perspektivë të integrimit evropian, pa fonde ndërkombëtare e pa dialogun strategjik me Amerikën. Në këtë situatë, lideri i PDK-së, duhet të jetë i pa ndikueshëm nga interesat personale, parapolitika apo destruktiviteti i individit apo grupeve, ai duhet të prij që të ndryshojë situata në parti, me vendime të drejta e me ndryshime thelbësore, me ekip të profesionistëve të përkushtuar që mendojnë për Kosovën, PDK-në dhe të ardhmen tonë si shtet e si komb.”
Ndërkaq, duke u ndalur te raportet dhe bisedat e mundshme me Hamzën, Lladrovci sqaroi: “Jo, nuk kam pasur diskutim me të, unë, i kam ofruar përkrahje ende pa filluar gara zgjedhore apo mandati i tij me qëllimin më të mirë që në ato rrethana dukej e domosdoshme dhe i duhej PDK-së. Kam qenë i befasuar me tolerancën ndaj ndonjë fenomeni keqdashës apo mosveprimin kur kërkohej vendim i guximshëm. Për ta shëruar sëmundjen nuk mjafton diagnoza, por, kërkojet trajtimi duke nënkuptuar edhe operacione të dhimbshme. Meritat e punës së tij nuk duhet harruar njëherësh do vlerësuar rrethanat në të cilat ka punuar me sinqeritet e përkushtim.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: