Sport
Bastoni paralajmëron Interin para Shakhtarit: Duhet të ndryshojmë qasje ndaj rrezikut
Reklamë e Sponsorizuar
Në prag të sfidës së rëndësishme në Ligën e Kampionëve kundër Shakhtar Donetsk, mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, ka dalë në një konferencë për media përmes “Sky Sport”, ku ka kërkuar nga skuadra e tij reflektim të thellë, eliminim të gabimeve individuale dhe një vetëdije më të lartë ndaj rrezikut në fushë.
“Në aspektin e lojës dhe angazhimit, duhet të përsërisim paraqitjet e dy ndeshjeve të para, por duke hequr qafe gabimet e shumta individuale, mendore dhe ato që vijnë nga mungesa e përqendrimit. Llogaritë tregojnë se rreth 90 për qind e golave që kemi pësuar deri më tani janë pasojë e pakujdesive tona. Kemi diskutuar gjatë brenda grupit për këtë dukuri negative që po na përsëritet dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme”, u shpreh qendërmbrojtësi zikaltër.
I pyetur mbi dallimet mes ndeshjeve në kampionat dhe atyre në skenën europiane, futbollisti shtoi se shpesh përdoren terma si “mungesë agresiviteti” apo “sipërfaqësi”. Sipas tij, askush nuk zbret në fushë me dashje për ta nënvlerësuar kundërshtarin, por kur situata të tilla përsëriten, ato kërkojnë analizë të detajuar. Problemi kryesor, sipas tij, nuk qëndron te mungesa e vëmendjes, por te paaftësia për të matur saktë rrezikun në momente kyçe, aspekt ku Interi duhet domosdoshmërisht të rritet.
Duke analizuar kundërshtarin e radhës, Bastoni pranoi se ukrainasit e Shakhtarit mbeten një enigmë e vogël, por që janë studiuar me kujdes. “Nuk i njohim deri në detajet më të imtësishme, megjithatë i kemi skanuar përmes analizave video. Është një formacion me cilësi të lartë teknike, që ndërton lojën që nga portieri dhe nuk frikësohet nga presioni. Na duhet një mbrojtje kolektive, të sillemi si grup kompakt dhe të tregojmë vigjilencë maksimale. Fakti është se duhet të fokusohemi te vetvetja, pasi në futbollin e sotëm nuk ekzistojnë më sfida të lehta ku fitorja sigurohet pa djersë dhe pa vuajtje”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: