Politikë
BDI: Deklaratat e ministrit Shasivari rrezikojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka shprehur kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj asaj që i cilëson si përpjekje të Ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për të shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Sipas kësaj partie, qasja e ministrit Shasivari lë të kuptohet se e vetmja gjuhë juridike e pranuar mbetet maqedonasja, ndërkohë që e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe po trajtohet gabimisht si një çështje që i nënshtrohet negocimit, diskutimit dhe rregullimit përmes akteve nënligjore.
"Nga një e drejtë që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe ligji, ministri po zbret te aktet nënligjore! Kjo nuk është zgjidhje e problemit, por krijim i problemit", thuhet në reagimin e BDI-së, ku theksohet gjithashtu se takimet me studentët po paraqiten si sukses politik, ndërsa zbatimi i vetë rendit kushtetues po lihet në mëshirë të negociatave.
Më tej, nga kjo parti vlerësohet se Ministri i Drejtësisë po merr profilin e një zyrtari të kufizuar vetëm te takimet, konsultimet dhe bisedat, pa sjellë ndryshime reale, ndërkohë që studentët shqiptarë vijojnë të përballen me pengesën e njëjtë: pamundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
BDI nënvizon se të drejtat themelore kushtetuese nuk mund të kushtëzohen nga vullneti personal i ministrit, rezultatet e tryezave apo interpretimet e akteve nënligjore, të cilat sipas tyre duhet të shërbejnë për zbatimin e ligjit dhe jo për kufizimin e garancive kushtetuese.
Në përmbyllje të qëndrimit të tyre, nga BDI ritheksohet se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës nuk përbën objekt kompromisi, por një standard të barazisë dhe respektimit të rendit juridik, duke shtuar se studentët nuk kërkojnë deklarata për suksese nga takimet, por zgjidhje të qarta dhe ligjore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: