Politikë
Rama analizon protestën në Tiranë me shifra nga Evropa: “Monopolin e forcës në demokraci e gëzon vetëm shteti”
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministren e Arsimit, ka komentuar zhvillimet rreth protestës së zhvilluar në Tiranë, duke u ndalur te profili i pjesëmarrësve, numri i të dëmtuarve dhe mënyra e ndërhyrjes nga forcat e rendit.
Sipas kreut të qeverisë, një pjesë e të rinjve të përfshirë në akte dhune nuk ishin aspak studentë apo nxënës, por individë të maskuar dhe të paguar, të sjellë nga zonat periferike me synimin e qartë për të sulmuar efektivët e policisë dhe për të mbjellë frymë terrori.
Për të ilustruar reagimin e policisë shqiptare në raport me vendet e tjera, Rama solli në vëmendje statistikat zyrtare nga Franca, Spanja dhe Gjermania, lidhur me numrin e personave që kanë marrë trajtim spitalor gjatë manifestimeve.
Duke krahasuar bilancet e lëndimeve, kryeministri deklaroi: “Jemi rreth 200 policë të lënduar dhe rreth 80 protestues të lënduar. Në Spanjë, 883 protestues dhe vetëm 33 policë kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Në Gjermani, 130 protestues dhe 34 policë kanë marrë ndihmë mjekësore”.
Më tej, ai sqaroi se këto shifra nga shtetet evropiane dëshmojnë përdorimin joproporcional të forcës nga ana e policisë ndaj protestuesve, duke theksuar se ky është një parim themelor i funksionimit të shtetit.
“Kjo është një listë e ushtrimit joproporcional të forcës nga ana e policisë dhe shtetit në raport me protestuesit. Monopolin e forcës në demokraci e ka shteti. Vetëm shteti mund të ushtrojë forcë dhe ka të drejtë ta ushtrojë atë në mënyrë joproporcionale”, përmbylli Rama fjalën e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: