Politikë
Valë trazirash dhe pakënaqësish në Evropë: Pse po revoltohet rinia kontinentale
Reklamë e Sponsorizuar
Një valë e fuqishme protestash nga nxënësit, studentët dhe qytetarët është përhapur gjerësisht nga Franca, Belgjika, Italia, Portugalia, Spanja, Greqia e Austria, deri në Shqipëri. Njëkohësisht, reagime dhe kundërshtime po regjistrohen edhe në Gjermani, Holandë, Serbi dhe Irlandë.
Në Francë, gjithçka e pati zanafillën te gjimnazi Lycée Antoine-de-Saint-Exupéry në Créteil, në juglindje të Parisit. Që nga mesi i shtatorit, mësimdhënësit nisën grevën kundër shkurtimeve të vendeve të punës dhe mungesës kronike të buxhetit, një lëvizje të së cilës iu bashkuan shpejt edhe nxënësit.
Demonstratat u shtrinë fillimisht në kryeqytet e më pas në mbarë vendin. Autoritetet raportuan se të paktën 550.000 persona dolën në rrugë të shtunën, ndër mes tyre pati elementë të maskuar që kryen akt dhune. Në disa rajone u shënuan plaçkitje dyqanesh, si dhe u vunë zjarr makina e kosha plehrash, ndërsa në qytetin Limoges u dogj godina e bashkisë e datuar që nga viti 1883.
Statistikat zyrtare tregojnë për 1800 persona të arrestuar dhe mbi 500 pjesëtarë të forcave të rendit e zjarrfikësve të plagosur. Si pasojë e kësaj situate të tensionuar, ekzekutivi francez njoftoi vendosjen e masave të shtetrrethimit në nivel lokal.
Zjarri i protestave franceze u transferua edhe në Belgjikë. Pas bllokimit të shkollave më 1 tetor në Liège, sindikatat bënë thirrje për një grevë kombëtare dhe një tubim masiv në Bruksel më 9 tetor.
Përplasje të dhunshme mes protestuesve të rinj dhe policisë ndodhën gjithashtu më 12 dhe 17 tetor në këto dy qytete. Pakënaqësitë ishin të drejtuara ndër të tjera kundër planeve qeveritare për kursime me vlerë rreth dhjetë miliardë euro, ku përfshihen edhe shkurtime prej 500 milionë eurosh deri në vitin 2029 në arsimin frankofon, rritje të tarifave universitare dhe heqja e biletave të lira të autobusëve për të rinjtë.
Në Itali, gjatë një proteste të mbajtur të shtunën (17.10.) në Milano kundër luftërave dhe inflacionit, pati përleshje të ashpra me forcat e rendit. Demonstrues të maskuar plaçkitën dyqane, hodhën gurë kalldrëmi drejt forcave speciale dhe i vunë flakën barrikadave të ngritura prej tyre.
Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, i cili vjen nga e majta qendrore, u shpreh për mediat vendase se arsyet e protestës ishin të kuptueshme, por theksoi se dhuna ndaj policisë dhe dëmet e rënda materiale në qytet mbeten të pajustifikueshme.
Ndërkohë, në Portugali dhjetëra mijëra qytetarë dolën në sheshe për të protestuar kundër shtrenjtimit të kostove të jetesës dhe krizës së thellë në tregun e banesave, ku shumë persona nuk arrijnë të përballojnë dot qiratë në rritje të vazhdueshme.
Sipas një raporti të Komisionit Evropian të publikuar në qershor të këtij viti, çmimet e patundshmërive në vend janë rritur nominalisht me 130 për qind që nga viti 2013. Nga ana tjetër, Zyra Kombëtare e Statistikave të Portugalisë bëri të ditur se qiratë për kontratat e reja kanë shënuar një rritje prej 10,2 për qind krahasuar me një vit më parë.
Kriza e banesave ka përfshirë fuqishëm edhe Spanjën, ku zemërimi qytetar për qiratë e larta u ndez edhe më shumë në shtator për shkak të rastit të një pensionisteje 87-vjeçare. Pas një beteje ligjore të gjatë, Maricarmen Abascal u detyrua më 23 shtator të lëshonte banesën e saj në Madrid, ku kishte jetuar për 70 vjet, pasi nuk mund të paguante më qiranë e rritur me 275 për qind nga një investitor, ndërsa pak ditë pas këtij dëbimi shpërthyen protesta në sheshin Puerta del Sol.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: