Kronikë
Kryeministri u soll si sundimtar, Haradinaj: Ndaj protestuesve të 5 tetorit u përdor dhunë dhe gaz lotsjellës
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sipas tij, intervenimi i Policisë gjatë protestës së 5 tetorit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, erdhi si pasojë e një urdhri direkt politik.
Gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin "Debat Plus", Haradinaj vuri në dukje se ky operacion policor u zhvillua pikërisht një natë para se të skadonte afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar këtë veprim si të motivuar politikisht.
“Priti deri një natë para skadimit të afatit dhe dha urdhër politik policisë për të ndërhyrë, me iu tregu ligjin. E kujt po ia tregon ligjin, atyre që po lypin ligj”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se qytetarët kishin dalë në shesh për të kërkuar drejtësi e ligjshmëri dhe jo për veprime të paligjshme.
Ai gjithashtu ngriti pyetjen se si është e mundur që një ekzekutiv që paguhet nga taksat e po këtyre qytetarëve, të trajtojë në këtë mënyrë popullin e vet. Ndonëse theksoi se gëzon respekt të plotë për institucionin e Policisë së Kosovës, ai kritikoi ashpër ndërhyrjet e urdhëruara nga lart.
“Policia duhet ta bëjë një dallim mes qeverisjes dhe sundimit. Vërtetë duhet të sundojë rendi e ligji, por nuk duhet të sundojë politika kundërligjshëm, përmes mekanizmave të rendit e ligjit”, shtoi ai.
Kreu i AAK-së përsëriti se protestuesit, të cilët kërkonin të drejtat e tyre, u pritën me mjete shtrënguese dhe forcë fizike nga ana e autoriteteve.
“Sundimtari i detyroi ata njerëz me plagë e vuajtje e trauma, për tri javë ditë me i ardhë para zyrës, në vend me ua dhënë ligjin, u dha gaz lotsjellës e dajak. E kujt është kjo qeveri, që i jep dajak e gaz lotsjellës qytetarëve që po kërkojnë ligj”, përfundoi Haradinaj.
Kujtojmë se protesta e 5 tetorit mori përmasa të tensionuara para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku pati hedhje të mjeteve piroteknike nga ana e protestuesve, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: