Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Iluzioni i pushtetit: Si i shndërroi Edi Rama lakminë dhe mashtrimin në art e diplomaci

Redaksia Lajmetereja • 19-10-2026 15:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Iluzioni i pushtetit: Si i shndërroi Edi Rama lakminë dhe mashtrimin në art e diplomaci
Fatkeqësisht, protestat që vuajnë nga mungesa e një organizimi të qartë, e një strukture të mirëfilltë dhe e një vizioni të përcaktuar politik mund të shndërrohen shpejt në terren pjellor për individë të paskrupullt. Të maskuar si shëmtues apo shpëtimtarë të popullit, ata synojnë të realizojnë ambiciet e tyre shkatërrimtare në kurriz të vetë shtetit. Kur flas për këtë dinamikë, nuk kam asnjë dyshim te nxënësit dhe studentët, por te shërbimet sekrete armiqësore që zakonisht infiltrojnë njerëzit e tyre brenda radhëve studentore. Këto elementë nxisin grabitje dhe shkatërrime me qëllim të vetëm: diskreditimin dhe sabotimin e misionit fisnik të protestës. Në një situatë kaotike të tillë, përfituesi më i madh rrezikon të jetë pikërisht ai udhëheqës që protestuesit synojnë ta largojnë nga froni i pushtetit. Kjo ndodh sepse, kur qytetarët ndodhen përballë dy alternativave të papranueshme, shpesh detyrohen të zgjedhin atë që u duket si e keqja më e vogël. Në këtë mënyrë, autokrati, sociopati, mafiozi dhe kleptomani, Edi Rama, arrin të paraqitet si një figurë shpëtimtare. Pavarësisht abuzimeve të rënda me pushtetin, krahasimi me alternativën tjetër e bën atë të duket si një lider i merituar në sytë e publikut. Kreu i qeverisë shqiptare e ka përsosur artin e mashtrimit në një nivel që kërkon të studiohet jo si model qeverisjeje, por si dëshmi e fuqisë së karizmës për të deformuar realitetin. Me një sharm magjepsës, humor çarmatosës, gjuhë trupi që politikën e kthen në shfaqje dhe një aftësi të rrallë për ta shndërruar çdo bashkëbisedim në skenë teatrale, ai ka arritur diçka që rrallë kush tjetër e ka bërë para tij. Ai ka bindur ndërkombëtarët se përballë kanë një burrështetas të besueshëm, me të cilin mund të bisedojnë për çdo temë, pa ndier nevojën të pendohen apo të përsiatin se çfarë fshihet pas magjisë së fjalëve dhe elegancës së paraqitjeve të tij. Këtu pikërisht fshihet paradoksi i tij më i madh. Sa më bindshëm e interpretonte Edi Rama rolin e shtetarit të hapur, aq më pak vëmendje tërhiqte pyetja thelbësore se kujt i shërbente realisht pushteti i tij. Sipas këndvështrimit tim, pas kësaj fasade qëndronte një model sundimi që i afrohej konceptit të pronarit privat të shtetit, ku institucionet, territori dhe pasuritë publike trajtohen si trashëgimi personale. Është një mendësi ku pushteti nuk shihet si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si privilegj për t'u shfrytëzuar, ndërsa shteti trajtohet si pronë e atij që e drejton. Nga ana tjetër, lakmia nuk njeh kurrë ngopje; ajo thjesht zgjeron oreksin derisa çdo gjë përreth fillon ta konsiderojë pronë të veten. Në një epokë ku politika globale, nga Evropa e Amerika deri te Lindja e Mesme, Moska e Beogradi, është e mbushur me liderë që interesin vetjak e kanë ngritur në rang parimi dhe cinizmin në mjeshtëri, një figurë si Rama ka gjetur një terren jashtëzakonisht të përshtatshëm. Ai ka ditur t'i flasë secilit në gjuhën që dëshironte të dëgjonte, duke krijuar afërsi pa ofruar transparencë dhe duke kultivuar besim pa shpalosur interesat e vërteta. Në diplomacinë e tij, sharmi shërben si monedhë, humori si perde, ndërsa paqartësia bëhet instrument përfitimi. Megjithatë, pasojat më të rënda nuk shihen gjithmonë te fitorja e një marrëveshjeje, por te dëmi që i shkaktohet shoqërisë, kujtesës historike dhe lidhjeve ndërgeneracionale, siç dëshmohet edhe në rastin e marrëdhënieve me kompaninë e Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar