Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Ekonomi

Vizita historike e sekretarit amerikan në Azinë Qendrore: Fokus te ekonomia, por sfidat mbeten

Redaksia Lajmetereja • 19-10-2026 15:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Vizita historike e sekretarit amerikan në Azinë Qendrore: Fokus te ekonomia, por sfidat mbeten
Gjatë qëndrimit të tij në Samarkand të Uzbekistanit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bëri të ditur se fokusi kryesor i vizitës së tij historike në Azinë Qendrore është bashkëpunimi tregtar dhe biznesi. “Ne kemi një delegacion të jashtëzakonshëm, pothuajse 300 amerikanë që janë këtu me ne dhe mundësinë për të nënshkruar marrëveshje me vlerë miliarda dollarë, të cilat do t’i pasurojnë vendet e rajonit, por gjithashtu do t’i sjellin përfitime ekonomike Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Rubio më 19 tetor. Nga ana e tij, Daniel Rosenblum, i cili ka shërbyer si zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Azinë Qendrore nga viti 2014 deri më 2019, si dhe ambasadori i mëvonshëm i SHBA-së në Uzbekistan dhe Kazakistan, e cilësoi përmasën e këtij delegacioni si një rast “të pazakontë”. “Nuk mund të kujtoj ndonjë rast të mëparshëm kur vizita e sekretarit të Shtetit në rajon të jetë shoqëruar me një mision biznesi. Në të kaluarën kemi pasur shumë misione biznesi. Por, nuk më kujtohet që kjo të jetë lidhur ndonjëherë në këtë mënyrë me një vizitë të sekretarit të Shtetit. Mendoj se është gjë e mirë dhe mund të çojë në më shumë suksese në drejtim të nënshkrimit të marrëveshjeve dhe investimeve të reja”, u shpreh Rosenblum. Megjithatë, ish-diplomati solli në vëmendje një paralajmërim, duke theksuar se nuk duhet pritur një hov i menjëhershëm i investimeve amerikane. Sipas tij, ndonëse angazhimi në nivele të larta mund të hapë dyer të reja, ai nuk i zhduk dot barrierat praktike me të cilat ndeshen kompanitë në terren. “Do të vija në pah se realiteti i investimeve në Azinë Qendrore mbetet i njëjtë, pavarësisht nëse sekretari i Shtetit ndodhet atje për kontaktin fillestar apo jo”, theksoi ai. “Disa vende janë pak më mikpritëse se të tjerat. Pastaj janë çështjet që lidhen me distancën, logjistikën, financimin dhe gjetjen e një partneri të mirë. Të gjitha këto mbeten të njëjta, pavarësisht nëse ke 100, 200 apo 20 kompani”, shtoi më tej Rosenblum. Kreu i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, sqaroi se prania e këtij delegacioni masiv ka për qëllim t'u mundësojë kompanive amerikane të garojnë në tregje që po shfaqen si të hapura për ekonominë e Shteteve të Bashkuara. “Ka të bëjë me atë që ne të jemi të pranishëm në çdo pjesë të botës që po i hap dyert biznesit dhe tregtisë amerikane. Që të shfaqemi dhe të jemi atje. Dhe, pikërisht për këtë bëhet fjalë”, përfundoi Rubio nga Samarkandi, duke paralajmëruar se marrëveshje madhore do të bëhen publike në një fazë të mëvonshme. Edhe pse e përshëndeti këtë kthesë drejt lidhjeve tregtare, Rosenblum mbetet skeptik për një zgjerim drastik të operacioneve të bizneseve amerikane në këtë zonë. “Do të habitesha nëse do të kishte një shpërthim të papritur, ku papritmas... dhjetë herë më shumë kompani amerikane do të bënin biznes sesa sot. Mendoj se kjo më duket vërtet e tepruar”, u shpreh ai. Ndryshimi i qasjes nga administrata e presidentit Donald Trump, e cila po i jep përparësi interesave tregtare, shënon një devijim nga ekuilibri tradicional i politikës së jashtme amerikane ndaj Azisë Qendrore, vlerësoi ish-diplomati. Në të kaluarën, administratat amerikane e ndërthurnin bashkëpunimin ekonomik dhe të sigurisë me promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe reformave të tregut. Sipas Rosenblum, administrata aktuale ka vendosur që ta heqë kryesisht komponentin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga agjenda e saj zyrtare publike. “Disa njerëz thonë – përfshirë edhe disa në Azinë Qendrore – se kjo është e mirë për raportet. Është sikur e bën më të lehtë komunikimin dhe të mundëson të shkosh drejtpërdrejt te thelbi i çështjes, qoftë për marrëveshjet e biznesit apo për çështje të tjera. Dhe do të thosha se kjo, sigurisht, i thjeshton marrëdhëniet”, përfundoi Rosenblum.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar