Politikë
Nagavci bën thirrje për shqyrtimin e projektligjeve para seancës parlamentare të së enjtes
Reklamë e Sponsorizuar
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që komisionet parlamentare të shqyrtojnë disa nisma ligjore përpara seancës plenare të Kuvendit të paraparë për të enjten, duke përfshirë edhe ato që lidhen me Planin e Rritjes.
Gjatë fjalës së saj, Nagavci vuri në dukje se agjenda e seancës së ardhshme nuk parasheh shqyrtimin e projektligjeve, andaj insistoi që të paktën disa prej tyre që mund të përmbyllen në afatin e duhur të futen në shqyrtim.
Ajo rikujtoi se më 5 tetor, Kuvendi ka votuar në lexim të parë 14 projektligje, prej të cilave nëntë bëjnë pjesë direkte në Pakon e Planit të Rritjes.
“Me miratimin e tyre në lexim të dytë ne kemi mundësi të përfitojmë nga Plani i Rritjes, sepse janë kusht, kriter miratimi i këtyre projektligjeve”, deklaroi Nagavci.
Sipas saj, kjo thirrje nuk ka gjetur mbështetjen e subjekteve të tjera parlamentare. Megjithatë, ajo bëri me dije se Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët e saj do të vazhdojnë përpjekjet që projektligjet të kalojnë nëpër komisione, me qëllim që ato që janë gati të mund të hidhen në votim këtë të enjte.
“Nëse ndonjëri prej këtyre projektligjeve mund të shqyrtohet në seancën e ditës së enjte, do të kërkojmë që t’i kalojmë, sepse janë projektligje të cilat janë me interes”, u shpreh ajo.
Në fund, Nagavci ritheksoi se pozita mbetet e vendosur për të çuar përpara shqyrtimin e akteve ligjore dhe për të ngritur efikasitetin e punës në Kuvend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: