Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

“Tranzicioni 35-vjeçar po mban peng rininë” – Analisti analizojnë protestat dhe akuzat e Ramës për ndikim të huaj

Redaksia Lajmetereja • 19-10-2026 10:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
“Tranzicioni 35-vjeçar po mban peng rininë” – Analisti analizojnë protestat dhe akuzat e Ramës për ndikim të huaj
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka hedhur dyshime se vala e fundit e protestave në vend mund të jetë dirigjuar nga faktorë të jashtëm, duke zbuluar gjithashtu se dy ditë më parë është neutralizuar një dron me eksploziv që kishte për synim goditjen e Kryeministrisë. “Përpara 2 ditësh është neutralizuar një dron më eksploziv që do të godiste Kryeministrinë dike i bënë flakën e oborrit të brendshëm dhe imagjinoni pasojat. S’ka rini dhe s’ka student që i shkon mendja ta bërë në jetë këtë plan, kjo është një dorë e huaj”, ka deklaruar Rama. Në lidhje me këtë situatë, analisti politik nga Shqipëria, Ilir Vata, ka vlerësuar se revoltë popullore pasqyron pakënaqësitë e thella të grumbulluara ndër vite në shoqëri, sidomos te brezi i ri që vazhdon të përballet me sfidat e trashëguara nga klasa e vjetër politike. Megjithatë, ai ka ngritur dyshime serioze rreth strukturës organizative dhe financimit të këtyre tubimeve, duke kërkuar megjithatë një trajtim institucional dhe social të kërkesave të ngritura. “Protesta është organizuar kryesisht në Tiranë, nisi me flamingo, për Zvërnecin, dhe më pas u pasua nga studentët, të cilët demonstruan edhe dhunë në këto pesë ditë, apo sot në ditën e gjashtë. Në fakt, të gjithë e kanë interpretuar këtë si një luftë brezash mes të rinjve dhe politikës së vjetër të Shqipërisë, e cila prej 35 vitesh e mban peng të ardhmen e vendit, duke e lënë në tranzicion dhe duke e lënë vendin në një nivel të ulët ekonomik e social”, u shpreh Vata. Duke analizuar kontekstin më të gjerë, ai shtoi se Shqipëria ende nuk ka shkëputur përfundimisht lidhjet me të kaluarën e saj diktatoriale, gjë që e ekspozon rininë ndaj rreziqeve të reja ideologjike. Sipas tij, pretendimet e kryeministrit për ndikime të jashtme nuk duhen anashkaluar plotësisht, duke pasur parasysh praninë e lëvizjeve neomarksiste në Evropë dhe Shqipëri. “Pra, Shqipëria në vetvete i ka problemet dhe protestat janë të nevojshme për cilindo që i sheh ato. Por fakti që ky kryeministër i ka interpretuar disa herë si protesta me ndikim të huaj, ka njëfarë të drejte, sepse kohët e fundit lëvizjet neomarksiste janë shfaqur në Evropë, në Francë, Belgjikë, Itali, Gjermani, por edhe kryesisht në Shqipëri, ku vendi është mes së shkuarës dhe së ardhmes. Pra, Shqipëria nuk është ndarë ende nga diktatura. Shqipëria lëngon, nuk e ka kërkuar të shkuarën dhe, për këtë arsye, rinia mund të bjerë në fatalitetin e vet, në njëfarë komunizmi tëri”, theksoi analisti. Vata ka vënë theksin edhe te mungesa e një udhëheqjeje të qartë të protestave, duke ngritur pikëpyetje nëse prapa tyre fshihen organizata joqeveritare me agjenda të caktuara, përfshirë ndikime të mundshme nga Fondacioni Soros apo aktorë të tjerë ndërkombëtarë që synojnë të ngadalësojnë rrugëtimin euroatlantik të rajonit. “Ka mendime se kjo protestë nuk ka kokë. Por ku është koka e protestës? Kush e drejton protestën? A janë vërtet për të rinjtë? Këto enigma tregojnë qartë se protesta mund të jetë e organizuar nga organizata joqeveritare me origjinë marksiste, ndërsa burimi i ndikimit të tyre mund të jetë Sorosi. Sigurisht, në këtë lloj proteste mund të ketë edhe ndihmë të huaj, sepse dashakeqët e Shqipërisë, Kosovës e të rajonit, pse jo, mund të kërkojnë që Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet përreth të mos integrohen në Bashkimin Evropian apo të mos jenë pjesë e Aleancës Atlantike. Për këtë mund të ketë ndikime ruse, ndikime kineze, pse jo, edhe dashakeqës e armiq të Shqipërisë, të cilët janë të kudogjendur”, u shpreh ai. Për t'i dhënë zgjidhje kësaj krize, Vata i bën thirrje ekzekutivit që të tregojë gatishmëri për dialog dhe të mos mbyllë sytë para problemeve reale që shqetësojnë shoqërinë, pavarësisht origjinës së organizimit të protestave. “Por ajo që kryeministri duhet të bëjë është t’i dëgjojë protestuesit, sepse ka vend për të parë shumë gjëra. Pavarësisht se cili është burimi i protestës dhe nga vijnë protestuesit, këto protesta duhet të shihen nga pikëpamja sociale dhe politike. Kjo politikë e vjetër duhet t’u qaset studentëve, t’i dëgjojë studentët dhe të rinjtë, si dhe t’i përmirësojë ato gjëra ku ka probleme: në arsim, me meritokracinë, në ekonomi, me shtypin dhe me fjalën e lirë”, përfundoi Vata, duke nënvizuar se përgjegjësia kryesore për menaxhimin e situatës mbetet në dorë të qeverisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar