Sport
Infrastruktura dhe integrimi rajonal: Si do të lidhet Kosova me tregjet globale dhe rrjetet evropiane
Reklamë e Sponsorizuar
Përmirësimi i rrjetit rrugor e hekurudhor, integrimi i Kosovës në tregjet ndërkombëtare dhe fuqizimi i korridoreve të transportit në rajon kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë panelit kushtuar transportit, i cili u organizua në kuadër të Samitit të Ballkanit.
Në sesionin e titulluar “Lëvizja e korridorit: Rrugët, hekurudhat dhe urat drejt Evropës”, zyrtarë të lartë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) shkëmbyen mendime mbi ndikimin e projekteve kapitale në rritjen ekonomike, lëvizshmërinë e mallrave e njerëzve, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Zef Morina, vuri në pah se sektori i transportit luan një rol parësor në mbarëvajtjen ekonomike të vendit, sidomos kur krijohen ura bashkëpunimi dhe integrimi me shtetet fqinje. Ai bëri të ditur se institucioni që ai përfaqëson është i angazhuar maksimalisht në dy drejtime kryesore: modernizimin e hekurudhave dhe zgjerimin e autostradave.
“Roli i transportit është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Transporti ka një rëndësi të veçantë sidomos kur ka mundësi të jetë i integruar në të gjitha vendet. Në përgjithësi transporti ka një rol të veçantë në zhvillimin ekonomik. Ne si ministri jemi të fokusuar në dy linja, hekurudhore dhe rrugore. Sidomos në këto pjesë që ne kemi filluar. Prioritetet kryesore tek ne është infrastruktura përmes korridorit që lidh Kosovën me shtetet evropiane dhe të Ballkanit Perëndimor. Pjesë tjetër janë autostradat që jemi duke i ndërtuar, Kosova ka pasur shumë zhvillime të infrastrukturës lidhur me korridoret e Bashkimit Evropian. Ajo që është me rëndësi është hekurudha Durrës-Prishtinë, e cila ka një prioritet të veçantë, në këtë mënyrë Kosova mund të lidhet me tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Morina, duke veçuar rëndësinë strategjike të hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Nga ana e saj, zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, lëvizi fokusin te fqinjësia e mirë dhe partneriteti rajonal, duke përmendur lehtësimin e procedurave kufitare dhe nismat e përbashkëta infrastrukturore mes dy vendeve.
Duke diskutuar mbi ecurinë e Korridorit 8, ajo specifikoi se janë realizuar hapa konkretë në disa drejtime, përfshirë nisjen e punimeve në Kërçovë për një investim prej 130 milionë eurosh, i cili gëzon mbështetjen e bankave dhe fondeve evropiane.
“Me Kosovën në këto dy vite qeverisje kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer. Duke lehtësuar kalimet ndërkufitare, duke vazhduar tutje me projekte infrastrukturore Shkup-Bllacë – Tetovë - Prizren. Gërshetimi i dy korridoreve tetë dhe dhjetë janë shumë të rëndësishme dhe kemi vullnet mos që ta shtyjmë para. Kur flasim për projekte infrastrukturore nuk flasim vetëm për rrugë, por për një afëri, një bashkim e siguri që na lidh më shumë dhe forcon dhe rrit investimet e huaja. Duke filluar nga korridori tetë kemi bërë progres shumë të madh. Të gjithë shtetet që janë pjesë e këtij korridori kanë treguar gatishmëri. Korridori tetë po ecën shumë mirë duke filluar nga Tetova, 13 kilometra veçse janë shtuar, pjesa e dytë Gostivar. Para disa ditësh filluam punimet në Kërçovë, 130 milionë euro, si pjesë e korridorit, që mbështetet”, tha Shaqiri.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: