Aktuale
Bota digjitale e fëmijëve: Si po shndërrohen ekranet dhe rrjetet sociale në burim ankthi e bullizmi
Reklamë e Sponsorizuar
Për brezin e ri, pajisjet e mençura janë shndërruar në një element qendror të rutinës ditore, por njëkohësisht edhe në një arenë ku ata përballen me paragjykime, shaka fyese dhe shkelje të privatësisë. Çfarë ndodh me vetëbesimin e një të mituri kur një imazh i publikuar pa autorizim apo një fjali ofenduese bëhet virale? Dhe kujt i drejtohen ata kur hapësira virtuale shndërrohet në një vatër ankthi?
Një njoftim. Një koment. Një video. Një tjetër mesazh.
Smartfonët dhe qasja në rrjet janë bërë pjesë e pashmangshme e jetës së fëmijëve. Për disa, kjo është metoda më e shpejtë për të mbajtur kontakte me familjarët dhe shoqërinë. Për të tjerët, shërben si mjet për edukim, argëtim apo lojëra. Megjithatë, koha e kaluar para ekraneve dhe lloji i përmbajtjeve që konsumojnë shpesh ndryshojnë nga ato që vetë fëmijët pranojnë se i përdorin.
“Ne i përdorim, por jo edhe aq shumë. Për të kontaktuar me prindërit dhe për detyra. Telefonin e përdor kur kam nevojë.”
“Unë e përdor internetin dhe luaj në qetësi, pa më ngacmuar askush.”
“Rreth katër apo pesë orë në ditë, vikendeve pak më shumë. I përdor për lojëra dhe për mësime. Edhe për pyetje, e pyes ChatGPT-në.”
“Unë flas vetëm me shokët që u besoj. Më shumë e përdor Snapchat-in për komunikim. TikTok-un e përdor vetëm për të shikuar video. Nuk e përdor për bullizëm dhe nuk dua që dikush të më bullizojë mua.”
“Unë e kam telefonin me kufizim kohor, prej orës shtatë të mëngjesit deri në nëntë të mbrëmjes. Pastaj më mbyllen aplikacionet. Më së shumti që kam qëndruar në telefon ka qenë katër orë.”
Në universin digjital, ku shkëmbimi i informacioneve ndodh brenda një sekonde, kufiri ndarës midis lojës dhe lëndimit shpesh avullohet.
Psikologia Tringa Visoka, e cila ushtron profesionin e saj në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë dhe në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, tregon se gjatë angazhimit të saj të përditshëm ndeshet rregullisht me episode të dhunës psikologjike nëpërmjet platformave online.
“Fëmijët po e përdorin telefonin jashtëzakonisht shumë. Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kontroll se sa e përdorin telefonin, çfarë shikojnë, në cilat rrjete sociale kyçen dhe me kë komunikojnë. Disa prej tyre e përdorin internetin edhe për gjëra jo të mira. Njëra prej tyre është bullizimi”, thotë Visoka.
Formimi i llogarive false dhe shpërndarja e imazheve pa leje përbëjnë rrezik direkt për intimitetin dhe mirëqenien emocionale të të miturve. Në raste të caktuara, fotografitëbien pre e manipulimeve digjitale dhe shfrytëzohen për të tallur apo fyer bashkëmoshatarët.
Kur përballen me situata të tilla, nxënësit e dëmtuar drejtohen për mbështetje te arsimtarët, drejtuesit dhe ekipi profesional i institucionit arsimor, shton psikologia.
“Ndihen jashtëzakonisht keq, janë shumë të shqetësuar dhe fillojnë të kenë ankth. Cenimi i privatësisë është një gjë shumë e keqe edhe për ne të rriturit. Tani po bëjnë edhe gjëra të tilla, kur marrin vetëm pjesën e fytyrës dhe pjesën tjetër të trupit e kombinojnë me gjëra të pahijshme. Kështu që fëmijët ndihen shumë keq, përjetojnë ankth dhe kërkojnë që të gjendet një zgjidhje”, thekson ajo.
Ndryshe nga një mosmarrëveshje ballë për ballë apo fizike që zakonisht merr fund me largimin nga ambjentet e shkollës, ngacmimet kibernetike i ndjekin fëmijët edhe brenda dyerve të shtëpisë. Materialet e publikuara mund të ruhen, të riprodhohen dhe të qarkullojnë pa fund.
Me zbulimin e këtyre rasteve, ndërhyrja ndërmerret përmes bashkëbisedimeve me nxënësin që ka rënë viktimë dhe atë që ka shfaqur sjellje abuzive. Sipas Visokës, qëllimi kryesor është ndërgjegjësimi i agresorit mbi pasojat e akteve të tij, ndërkohë që i dëmtuari sigurohet me ndihmën e nevojshme emocionale.
“Me fëmijën që në këtë rast e bullizon viktimën, bisedoj dhe ia tërheq vërejtjen. Rastet e tilla ndonjëherë shkojnë në ekstrem, prandaj dëshirojmë që çështja të trajtohet me kujdesin maksimal.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: