Politikë
Procesi arsimor vijon normalisht, ministrja Kumbaro dërgon mesazh falënderimi për mësuesit
Reklamë e Sponsorizuar
Institucionet arsimore në mbarë vendin janë plotësisht të hapura dhe në shërbim të nxënësve. Ky është mesazhi që ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka përcjellë mëngjesin e sotëm përmes një deklarate zyrtare nga ambientet e ministrisë.
“Punonjësit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë ndaluar asnjë ditë punë, qoftë fizikisht, qoftë online për shkak se një pjesë e zyrave të janë të dëmtuara. Gjatë fundjavës kemi qenë në komunikim pa pushim me sistemin tonë arsimor që java të rifillojë në të gjitha shkollat, ku ju presin krahëhapur mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit socialë. Jemi të gjithë në krye të detyrës. Dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë mësuesve për gjithë përkushtimin e dhënë dhe kohën jo vetëm për fëmijët, por për komunikimin me prindërit”, deklaroi Kumbaro.
Cikli mësimor ka rinisur zyrtarisht këtë të hënë në më shumë se 1400 institucione arsimore anembanë Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro i është drejtuar me një apel të veçantë edhe komunitetit të prindërve.
“Të dashur prindër, kini besim te mësuesit. Por sidomos flisni me fëmijët tuaj. Çdo orë që ua merr dhuna, çdo minutë që shohin vandalizmat që i janë bërë qytetit tonë në rrjetet sociale, janë orë të humbura nga jeta e tyre. Koha e tyre është për edukim. Shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë”, u shpreh ajo.
Në vijim të prononcimit të saj, ministrja e Arsimit u ka bërë thirrje studentëve që të zgjedhin rrugën e dialogut të hapur për çdo shqetësim të tyre.
“Studentë, kemi qenë në komunikim, edhe individualisht, gjatë gjithë këtij viti në këtë detyrë ku jam, dhe dua t’ju garantoj se dera e Ministrisë është e hapur, por edhe zemra e punonjësve të Ministrisë së Arsimit është e hapur. Gjërat bëhet me zemër dhe me dëshirë për të ecur përpara. Në çdo çast jam gati të ulemi bashkë dhe të përmirësojmë gjithçka që duhet bërë”, përfundoi ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: