19-vjeçari plagos motrën në Ferizaj

Publikuar më: 10-05-2025 13:03
Një 19-vjeçar ka plagosur me armë zjarri motrën e tij 25-vjeçare të shtunën paradite në Ferizaj. Rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informacionin për një plagosje në rrugën “Mejdi Xhaferri”. Sipas të dhënave fillestare, i dyshuari E.M., mashkull kosovar 19-vjeç, ka shtënë me armë në drejtim të motrës së tij 25-vjeçare, duke e lënë të plagosur, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Falë reagimit të shpejtë të njësive policore, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar pak më vonë. Viktima ka marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt dhe më pas është transferuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa është sekuestruar edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur në rast. Motivi i incidentit ende nuk është bërë i ditur. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe hetimet janë në vijim.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu