Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Mbingarkesa në gjimnazet e Prishtinës: Mungesa e kabineteve të informatikës lë nxënësit pa praktikë

Redaksia Lajmetereja • 18-10-2026 18:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Mbingarkesa në gjimnazet e Prishtinës: Mungesa e kabineteve të informatikës lë nxënësit pa praktikë
Nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në kryeqytet po vijojnë procesin mësimor pa pasur mundësi që njohuritë e tyre në fushën e teknologjisë t'i vënë në zbatim përmes pajisjeve kompjuterike. Pasi gjimnazi “Eqrem Çabej” u vendos në të njëjtën ndërtesë, kjo shkollë humbi dy kabinetet e informatikës dhe hapësirat e nevojshme për orët praktike të disa lëndëve të tjera. Trupa mësimore thekson se kjo situatë pengon rritjen e aftësive digjitale të nxënësve, ndërkohë që autoritetet komunale premtojnë një riorganizim të ambienteve sapo të përfundojnë ndërtimet e shkollave të reja. Në këtë institucion arsimor, mësimi për teknologjinë zhvillohet kryesisht në mënyrë teorike. Ish-kabinetet e informatikës tashmë nuk funksionojnë, dhe orët e kësaj lënde mbahen në klasa standarde, duke u mbështetur kryesisht te përdorimi i projektorit. Kjo sfidë lindi tri vite më parë, pas vendimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit për të bashkuar dy gjimnaze në një objekt të vetëm. Për arsimtarët, kufizimi i hapësirave nuk paraqet vetëm një komoditet të munguar, por një pengesë direkte në cilësinë e mësimdhënies. “Në një kohë kur tregu i punës po avancon vazhdimisht, sidomos në fushën e teknologjisë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, ne përballemi me sfida elementare, sepse nuk posedojmë fare kabinet të informatikës. Lënda e informatikës zhvillohet në klasë të zakonshme, njësoj sikurse lëndët e tjera”, deklaroi Gentijana Loshaj, profesoreshë e informatikës. Sipas saj, institucioni arsimor nuk po arrin t'u sigurojë nxënësve kushtet minimale për zhvillimin e shkathtësive digjitale. “Sa u përket kurseve dhe trajnimeve private që ata i ndjekin, janë të përgatitur, por ne si shkollë nuk mund të ofrojmë asgjë. Dihet se të gjitha mësimet shtesë kanë kosto financiare për prindërit, e cila mund të kalojë 100 euro në muaj”, u shpreh Loshaj. Në ndërtesën ku dikur ushtronte veprimtarinë vetëm gjimnazi “Ahmet Gashi”, sot zhvillojnë mësim dy institucione të ndryshme. I pari numëron 30 paralele, ndërsa gjimnazi “Eqrem Çabej” edhe 18 të tjera. Kjo përbën gjithsej 48 paralele, të cilat zhvillojnë mësimin e organizuar në dy ndërrime. Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi” vlerëson se ky bashkim ka sjellë mbingarkesë të ndërtesës, duke i privuar nxënësit nga kushtet e përshtatshme jo vetëm për TIK, por edhe për lëmi të tjera. “Tash, me ardhjen e tyre, është ngushtuar hapësira për zhvillimin e procesit mësimor, posaçërisht për lëndët e TIK-ut, ku kemi mungesë të kabineteve të informatikës dhe, si mësimdhënës të TIK-ut, orën e realizojmë vetëm me projektor. Domethënë, ne i kemi pasur dy kabinete, tani nuk e kemi asnjë kabinet. Pastaj kemi nevojë për kabinet të muzikës, të artit figurativ, të cilat tash nuk i kemi. Nuk kemi as kabinete të fizikës, kimisë dhe biologjisë, të cilat dikur shkolla i ka pasur”, u shpreh drejtori. Kufizimet hapësinore përbëjnë shqetësim edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit, fakt ky që pranohet hapur nga drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani. “Jemi duke punuar dhe aktualisht janë disa vendpunishte të hapura për ndërtimin e shkollave të reja. Fatmirësisht, një zgjidhje konkrete do të mundësojë lirimin e hapësirave në Tophane, pasi një pjesë e nxënësve do të bartet në shkollën e re. Kjo do ta mundësojë riorganizimin e hapësirave ekzistuese dhe zhvendosjen e fëmijëve në ambiente të tjera shkollore”, theksoi Elshani. Deri në konkretizimin e projekteve për ambiente të reja shkollore, nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” do të vijojnë të përballen me kufizimet, duke e studiuar informatikën kryesisht përmes qasjes teorike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar