Kronikë
Përshkallëzim i dhunës në Sheshin Skënderbej: Protestuesit sulmojnë policinë me molotov dhe shkopinj druri
Reklamë e Sponsorizuar
Përplasjet mes forcave të rendit dhe protestuesve në sheshin “Skënderbej” kanë marrë një kthesë më të rëndë, duke krijuar momente paniku dhe tensioni të lartë në zemër të kryeqytetit.
Për të shpërndarë turmën, Policia e Shtetit është kundërpërgjigjur duke përdorur gaz lotsjellës dhe autobote me ujë. Nga ana e tyre, protestuesit kanë hedhur vazhdimisht bomba molotov në drejtim të forcave të sigurisë.
Në kulmin e tensioneve, një prej protestuesve është afruar pranë automjetit të policisë dhe ka goditur fizikisht një efektiv me një shkop druri. Një tjetër manifestues ka hipur mbi autobot, duke tentuar pa sukses të hapë dyert e mjetit, ndërkohë që ndërhyrja e re e policisë me gaz dhe ujë ka bërë të mundur largimin e tyre.
Këto protesta, ku marrin pjesë studentë, nxënës dhe qytetarë të ndryshëm, kanë hyrë tashmë në ditën e tyre të gjashtë në Tiranë, të shoqëruara herë pas here nga akte dhune dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Lidhur me ngjarjet e fundit, raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka ngritur shqetësimin e tij përmes një deklarate, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit të situatës.
Eurodeputeti ka dënuar çdo formë dhune, pavarësisht se nga vjen ajo, duke përfshirë si elementët e dhunshëm që mund të jenë infiltruar në protestë, ashtu edhe veprimet e ndërmarra nga strukturat shtetërore dhe policore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: