Në përgjigje të paradës së Putinit, liderët e vendeve më të fuqishme evropiane mblidhen në Kiev

Publikuar më: 10-05-2025 08:02
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbërritur të shtunën në kryeqytetin ukrainas të Kievit përpara takimit me liderët e tjerë evropianë, ku do të bëjë thirrje për armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë, ka raportuar BBC. Në Kiev ndodhen po ashtu edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, teksa kryeministri polak Donald Tusk do t’i takojë më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar para mbërritjes së tyre, Starmer, Macron, Merz dhe Tusk kanë njoftuar se do të “qëndrojnë në Kiev në shenjë solidariteti me Ukrainën”. Në deklaratë thuhet se do të bëjnë thirrje për armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar prej 30 ditësh në Ukrainë, i propozuar fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin mars, që sipas tyre do të mundësojë zhvillimin e bisedimeve për një paqe të qëndrueshme. “Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet për paqe sa më shpejt të jetë e mundur, të diskutojmë zbatimin teknik të armëpushimit dhe të përgatitemi për një marrëveshje të plotë të paqes”, kanë thënë njëzëri liderët, duke u zotuar se do të “rrisin presionin” mbi Rusinë derisa ajo të pranojë armëpushimin e plotë. Më vonë gjatë ditës, ata kanë planifikuar të organizojnë takim virtual me liderë të tjerë botërorë. Ata do të ofrojnë përditësime mbi progresin në drejtim të asaj që po quhet “forca ndërkombëtare e garantimit të sigurisë”, që sipas Zyrës së Kryeministrit në Mbretërinë e Bashkuar mund të “rigjenerojë” forcat e armatosura të Ukrainës pas marrëveshjes së paqes. Ky takim po ndodh një ditë pasi Rusia mbajti paradën e saj vjetore të fitores në Luftën e Dytë Botërore në Moskë. Photo: Associated Press Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka lavdëruar popullin ukrainas përmes një postimi në rrjetin social X, tek ka thënë se ata nuk po luftojnë vetëm për atdheun e tyre por për mbarë Evropën. Më tutje, ai ka shtuar se reagimi i vendeve evropiane ndaj agresionit të Rusisë duhet të jetë kolektiv, e që sipas tij kjo është arsyeja se pse ka udhëtuar në Kiev së bashku me liderët e tjerë evropianë nga Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe. Macron ka ndarë gjithashtu tri mesazhe kyçe sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë. Së pari, “paqja e drejtë dhe e qëndrueshme fillon nëpërmjet armëpushimit të plotë dhe pa kushte”, ka thënë ai. Së dyti, “marrëveshja e paqes që do të ndërtohet duhet të garantojë sigurinë e saj”, ka vazhduar Macron. E për fund, “një Ukrainë e lirë, e fortë, e begatë dhe evropiane: ky është vizioni ynë”, ka shtuar presidenti francez.
Shpërndaje këtë lajm:
Facebook WhatsApp Twitter
🔙 Kthehu