Kronikë
Goditje e madhe në Tiranë: Rrjeti i shpërndarjes së drogës pranë shkollave shkatërrohet pas 4 muajsh, bilanci 31 të arrestuar
Reklamë e Sponsorizuar
Pas një hetimi katërmujor të drejtuar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “SHKOLLA TË PASTRA”. Kjo ndërhyrje ka çuar në shkatërrimin e disa grupeve kriminale që merreshin me tregtimin e lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore 9-vjeçare, të mesme, si dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikuan gjithsej 52 persona të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm, të cilët vepronin individualisht ose të organizuar në grupe. Autoritetet ligjzbatuese kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për 31 prej tyre, konkretisht për shtetasit: G. J., 48 vjeç; E. B., 34 vjeç; E. O., 48 vjeç; B. K., 41 vjeç; E. V., 27 vjeç; D. Sh., 30 vjeç; A. K., 32 vjeç; E. H., 29 vjeç; J. N., 29 vjeç; Sh. Ç., 45 vjeç; E. H., 39 vjeç; E. M., 21 vjeç; F. P., 22 vjeç; K. M., 22 vjeç; R. T., 19 vjeç; K. M., 33 vjeç; I. D., 35 vjeç; F. Xh., 36 vjeç; B. M., 22 vjeç; I. A., 21 vjeç; A. L., 21 vjeç; S. A., 31 vjeç; E. T., 49 vjeç; A. P., 34 vjeç; V. M., 43 vjeç; D. M., 52 vjeç; E. P., 33 vjeç; N. Sh., 32 vjeç; A. K., 37 vjeç; T. A., 24 vjeç dhe V. R., 23 vjeç. Ndërkohë, gjatë fazës paraprake të hetimeve, janë ndaluar edhe 7 persona të tjerë, përkatësisht K. C., G. M., Zh. P., E. T., D. Sh., D. F. dhe M. T.
Përveç personave të vënë në pranga, 14 shtetas të tjerë të dyshuar si pjesë e këtyre rrjeteve janë shpallur në kërkim kombëtar, ndërsa puna e grupit hetimor vazhdon për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të kësaj skeme kriminale. Për shkak të sekretit hetimor, gjeneralitetet e tyre nuk mund të bëhen publike në këtë fazë.
Gjatë operacionit dhe kontrolleve të kryera, policia ka sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, ku përfshihen 1 kg e 75 gramë heroinë, 1 kg e 265 gramë kokainë, si dhe 685 gramë Cannabis Sativa. Po ashtu, janë kapur edhe një armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, 2 peshore elektronike, 12 automjete, 35 aparate celulare dhe prova të tjera materiale që vërtetojnë aktivitetin e paligjshëm.
Hetimet kanë zbuluar se për t'iu shmangur kontrolleve dhe vëmendjes së efektivëve të policisë në terren, shpërndarësit përdornin metoda alternative për dërgimin e dozave te klientët, përfshirë përdorimin e monopatinave, automjeteve taksi dhe shërbimeve të dërgesave “delivery”.
Të gjitha materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Tiranë për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë rithekson se fokusi kryesor mbetet garantimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit pranë shkollave, duke siguruar qytetarët dhe prindërit se kontrollet dhe goditjet ndaj çdo paligjshmërie do të intensifikohen në vijimësi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: