Kronikë
Tragjedi pranë bazës ushtarake në Kanada: Zjarri masiv shkakton viktima dhe të lënduar
Reklamë e Sponsorizuar
Një vatër e madhe zjarri ka shpërthyer në afërsi të bazës ushtarake Wainwright në provincën Alberta të Kanadasë, duke shkaktuar të vdekur dhe të plagosur. Lajmi është konfirmuar publikisht nga ministri i Mbrojtjes i Kanadasë, David McGuinty, i cili këtë fazë nuk ka dhënë shifra të sakta për numrin e viktimave.
Përballë kësaj krizë, Forcat e Armatosura Kanadeze kanë bashkuar energjitë me shërbimet lokale të emergjencës për të vënë situatën nën kontroll dhe për të nisur hetimet mbi shkaqet e zjarrit. Ministri McGuinty e përshkroi ngjarjen si një situatë "jashtëzakonisht aktive dhe tejet delikate", duke shtuar se nuk i kujtohet ndonjë incident i ngjashëm në vitet e fundit.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri kanadez, Mark Carney. Përmes një postimi në rrjetin social X, ai e cilësoi incidentin si mjaft serioz dhe qënxiti një zjarr me përmasa të mëdha, ndërsa shprehu ngushëllimet dhe mbështetjen e tij për të gjithë personat e prekur. Nga ana tjetër, kryeministrja e provincës së Albertës, Danielle Smith, e përshkroi ngjarjen si një zjarr tragjik që ka prekur drejtpërdrejt personelin ushtarak.
Flakët shpërthyen pranë Bazës së Forcave Kanadeze Wainwright, e cila konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishme të stërvitjeve ushtarake në vend, veçanërisht për ushtrimet me armë zjarri. Në këtë bazë shërbejnë mesatarisht rreth 690 ushtarakë dhe punojnë afër 300 punonjës civilë çdo ditë. Sipas zyrtarëve të Distriktit Bashkiak të Wainwright, erërat e fuqishme favorizuan përhapjen me shpejtësi të zjarrit, i cili arriti të dëmtojë edhe rrethimet mbrojtëse të kompleksit ushtarak.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të zonës që të shmangin lëvizjet në atë territor për t'u krijuar kalim të lirë mjeteve të emergjencës. Ndërkohë, provincat fqinje kanë reaguar menjëherë duke ofruar ndihmë operative.
Kryeministri i Saskaçevanit, Scott Moe, deklaroi se ka vënë në dispozicion burime njerëzore dhe teknike për të ndihmuar Albertën, duke mbetur në gatishmëri për mbështetje shtesë. Po ashtu, edhe kryeministri i Kolumbisë Britanike, David Eby, konfirmoi se qeveria e tij ka vendosur kontaktet me autoritetet e Albertës për të ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme.
Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit vazhdojnë, ndërsa bilanci përfundimtar i pasojave pritet të bëhet me dije nga autoritetet në vijim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: