Aktuale
Situatë e rëndë në QKUK: Pacientja mbetet e vetme në Emergjencë, familjarët shkëputin çdo kontakt
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e pazakontë ka tronditur së fundmi Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një paciente mësohet se ka rreth 24 orë që është lënë në harresë nga familjarët e saj në repartin internistik.
Sipas informacioneve nga terreni, e moshuara po qëndron e vetme në ambientet e këtij reparti prej ditës së djeshme, konkretisht që nga ora 16:00.
Fillimisht ajo ishte sjellë për ndihmë mjekësore nga familjarët, të cilët pasi kishin udhëzuar stafin "na thirrni kur të përfundojnë procedurat", janë larguar duke mos u kujdesur më për të dhe duke prerë çdo linjë komunikimi.
Përballë këtij ngërçi, është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të efektivëve, i biri i pacientes — i cili e kishte shoqëruar fillimisht në spital — nuk i përgjigjet thirrjeve telefonike as të autoriteteve policore dhe as të bluzave të bardha.
Si pasojë e kësaj braktisjeje, personeli mjekësor i Emergjencës është detyruar të angazhohet përtej detyrave të zakonshme, duke u kujdesur jo vetëm për terapinë e pacientes, por edhe për ushqimin dhe asistencën e përditshme të saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: