Kronikë
Amnesty International alarmi për plumbat e gomës: Rrezik fatal dhe humbje të shikimit gjatë protestave në Tiranë
Reklamë e Sponsorizuar
Përdorimi i plumbave të gomës nga ana e policisë gjatë protestës studentore në kryeqytet ka lënë pas disa të lënduar, duke rikthyer në vëmendje debatin rreth sigurisë dhe protokolleve të ndërhyrjes. Të rinjtë e pranishëm në tubim kanë shfaqur shenja të qarta goditjesh në zona të ndjeshme si balli, qafa dhe kraharori. Ngjarja ka ngritur shqetësime të thella në opinionin publik për pasojat afatgjata që këto mjete mund të lënë në shëndetin e qytetarëve. Ndërkohë, organizata ndërkombëtare Amnesty International paralajmëron se pavarësisht se klasifikohen si pajisje me rrezikshmëri më të ulët fatale, plumbat e gomës mbartin potencialin e dëmtimeve të rënda trupore, verbimit apo edhe humbjes së jetës.
Sipas ekspertëve dhe raporteve ndërkombëtare, pasojat e goditjeve nga këto predha varen ngushtësisht nga lloji i tyre, distanca e shkrepjes dhe zona e trupit që goditet. Predhat kinetike mund të shkaktojnë plagë të thella, thyerje kockash, hemorragji të brendshme dhe dëmtime të organeve jetësore. Goditjet e drejtuara në zonën e kokës dhe fytyrës rrezikojnë seriozisht shikimin, mund të shkaktojnë fraktura të kafkës dhe dëmtime të pariparueshme të trurit. Po ashtu, një goditje në qafë përbën një rrezik fatal për enët kryesore të gjakut dhe rrugët e frymëmarrjes, ndërsa ato në gjoksi dëmtojnë mushkëritë dhe organet fqinje. Edhe ekstremitetet e poshtme nuk shpëtojnë lehtë, pasi goditjet në këmbë mund të sjellin fraktura dhe dëmtime të rënda nervore. Për shkak të këtij rreziku, çdo person i goditur në kokë, fytyrë, qafë apo gjoks duhet t'i nënshtrohet menjëherë një kontrolli të specializuar mjekësor, pavarësisht nëse dëmtimi i jashtëm duket minimal.
Në dokumentet e saj zyrtare, Amnesty International ka dokumentuar tashmë incidente të shumta anembanë botës ku keqpërdorimi i plumbave të gomës nga forcat e rendit ka rezultuar me plagosje invaldizuese ose vdekje. Organizata ka evidentuar praktika shqetësuese ku këto mjete janë shkrepur ndaj turmave paqësore pa kurrfarë dallimi, ose janë drejtuar qëllimisht drejt pjesëve më të ndjeshme të trupit njerëzor. Për të parandaluar këto abuzime, organizata ka përcaktuar 25 rregulla të qarta, të cilat synojnë të ndihmojnë autoritetet shtetërore që t'i harmonizojnë politikat e tyre të sigurisë me standardet globale të të drejtave të njeriut.
Sipas standardeve të përcaktuara nga Amnesty International, predhat me impakt kinetik duhet të konsiderohen si opsioni i fundit dhe të përdoren vetëm në situata të jashtëzakonshme nga efektivë të trajnuar posaçërisht, kur ekziston një rrezik real dhe i menjëhershëm për jetën ose integritetin e të tjerëve. Çdo ndërhyrje me forcë duhet t'i përmbahet rreptësisht parimeve të ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Kjo do të thotë se reagimi i policisë duhet të jetë i motivuar nga rrethanat në terren dhe nuk duhet të prodhojë dëme më të mëdha se ato që shërbejnë për neutralizimin e rrezikut.
Rregulloret ndërkombëtare ndalojnë rreptësisht përdorimin e plumbave të gomës në mënyrë të verbër ndaj turmave ose ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e protestës paqësore. Gjithashtu, shënjestrimi i kokës, fytyrës dhe qafës duhet të shmanget me çdo kusht për shkak të probabilitetit të lartë të pasojave të përhershme. Amnesty International thekson se këto armë nuk duhet të kthehen kurrë në praktikë rutinë për menaxhimin e tubimeve publike, por duhet t'enënshtrohen kontrolleve të rrepta, trajnimeve të vazhdueshme dhe llogaridhënies institucionale.
Lista e zonave të ndaluara për qitje përfshin:
- Koka dhe balli: Rrezik i lartë për fraktura të kafkës dhe dëmtime të rënda cerebrale.
- Fytyra: Mundësi e lartë për thyerje kockash dhe dëmtime fizike afatgjata.
- Sytë: Rrezik i menjëhershëm për humbje të përhershme të shikimit.
- Qafa dhe fyti: Kërcënim direkt për bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe dëmtim të enëve të gjakut.
- Gjoksi dhe kraharori: Rrezik kritik për dëmtimin e mushkërive dhe organeve jetësore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: