Kronikë
Reagon Kostadinov pas kallëzimit penal: Gjykimi publik para kohe shkatërron besimin te shteti i së drejtës
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov, ka thyer heshtjen përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pasi policia ngriti kallëzim penal ndaj tij dhe dy personave të tjerë, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Në prononcimin e tij, Kostadinov pranoi se ushtrimi i funksioneve publike mbart me vete obligime të mëdha dhe se është plotësisht i përgatitur të mbajë përgjegjësi për çdo vendimmarrje të kaluar, duke qenë i bindur se veprimet e tij kanë qenë të mbështetura tërësisht në ligj dhe pas kalimit të procedurave të duhura.
“Për një periudhë të gjatë jam i ekspozuar ndaj publikimeve të vazhdueshme në opinion, në të cilat emri im lidhet me dyshime dhe akuza të pabazuara, ndoshta për shkak të interesave dhe intrigave të përditshme të dikujt. Përsëritja e tyre e vazhdueshme krijon përshtypjen se përgjegjësia tashmë është përcaktuar, para se të dëgjohen argumentet e mia dhe të vlerësohen provat që kam në numër të madh. Me rekomandimin e ekipit tim juridik, deri më tani jam përmbajtur nga reagimet, në shenjë respekti ndaj procedurave dhe institucioneve, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një shtet të mirëfilltë juridik evropian. Kjo përmbajtje është zgjedhje e vetëdijshme, e jo mungesë argumentesh,” ka shkruar ndër të tjera ai.
Sipas tij, beteja e tij ligjore për të vërtetën do të zhvillohet aty ku takon institucionalisht, ndërkohë që ka përcjellë një apel të qartë për median dhe aktorët e tjerë shoqërorë.
“Nga mediat pres raportim të saktë dhe të përgjegjshëm, ndërsa nga të gjithë pjesëmarrësit në jetën publike kërkoj respektimin e dinjitetit tim dhe të prezumimit të pafajësisë. Kritika është pjesë përbërëse e demokracisë. Dënimi i shpallur paraprakisht e minon drejtësinë dhe cenon rëndë besimin te institucionet. Nuk kërkoj besim vetëm në bazë të fjalëve. Kërkoj hapësirë që faktet të dëgjohen dhe provat të vlerësohen në mënyrë të paanshme. Jam i gatshëm të jap llogari për veprimet e mia. Besoj në sundimin e së drejtës dhe kundërshtoj fuqishëm mënyrat e shmangies së drejtësisë, të cilat jemi dëshmitarë se po ndodhin, si rasti me 50 tonë marihuanë të kapur në mënyrë të paligjshme, si dhe shumë raste të tjera për të cilat dëgjojmë vazhdimisht,” ka shtuar më tej Kostadinov.
Në mbyllje të reagimit të tij, ish-kryetari i Strumicës paralajmëroi se do të ndjekë rrugët ligjore ndaj kujtdo që ka zgjedhur të dëmtojë me dashje integritetin e tij dhe të familjes së tij.
“Për secilin që ka vendosur që me vetëdije të më shkaktojë dëm mua, fëmijës tim të porsalindur dhe gjithë familjes sime, e cila ndër vite e ka ndërtuar autoritetin dhe dinjitetin e saj përmes ndihmës dhe mbështetjes ndaj të gjithëve, deklaroj me përgjegjësi se kjo nuk do të mbetet e harruar dhe pa përgjegjësi para institucioneve,” ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: