Politikë
Modeli serb i protestave në Tiranë: Studenti konfirmon bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave me të rinjtë në Serbi
Reklamë e Sponsorizuar
Një nga protestuesit kryesorë në tubimet e studentëve në kryeqytet ka konfirmuar hapur se mban lidhje të ngushta me homologët e tyre në Serbi, ku fokusi kryesor i këtyre komunikimeve mbetet koordinimi dhe metodologjia e organizimit të protestave.
Këto deklarata u bënë gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Breaking” në Euronews, ku ai u pyet në lidhje me ndikimin e mundshëm të modelit serb të protestave dhe lëvizjes “Lista e Studentëve”, e cila pas një periudhe të gjatë protestash u përfshi edhe në proceset zgjedhore.
“Kam ndjekur dhe kam miq të mirë studentë në Serbi, me të cilët padyshim ngelemi në një kontakt të vazhdueshëm lidhur me organizimin e protestave dhe format që patjetër edhe ata kanë aplikuar”, deklaroi ai gjatë intervistës.
Edhe pse protestat në Tiranë janë paraqitur deri më tani si një nismë autoktone e të rinjve shqiptarë, ky pranim publik nxjerr në pah një shkëmbim të vazhdueshëm përvojash dhe strategjish me aktivistë studentorë jashtë kufijve.
I pyetur mbi planet politike të lëvizjes, ai theksoi se aktualisht nuk ka një plan konkret për të krijuar një forcë alternative nga sheshi, duke shtuar se një lëvizje e tillë mund të marrë formë vetëm pas largimit të detyruar të kreut të qeverisë.
Sipas tij, e gjithë vëmendja dhe energjia e protestuesve është e përqendruar te largimi i menjëhershëm nga detyra i kryeministrit Edi Rama, duke përjashtuar çdo mundësi për të pritur zgjedhjet e ardhshme rregullatore.
“Fokusi kryesor në protestas e të rinjve dhe të rejave në Tiranë është dorëheqja e Edi Ramës. Ata nuk duan t’i japin më kohë Edi Ramës deri të vijnë votimet. Ata kërkojnë padyshim dorëheqje”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: