Sport
Kërkohet fletarrestim ndërkombëtar: Depozitohet kallëzim penal në Kosovë ndaj Ivica Daçiqit për retorikën luftënxitëse
Reklamë e Sponsorizuar
Prizrenasi Gent Gjini ka përgatitur një kallëzim penal drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kundër zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq. Nisma vjen pas fjalimeve publike të zyrtarit serb lidhur me një ripushtim të mundshëm të Kosovës dhe ngritjen e flamurit të Serbisë në qytetin e Prizrenit, teksa kërkohet gjithashtu lëshimi i një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Sipas dokumentit zyrtar të datës 12 tetor 2026, avokati Gjini vlerëson se fjalët e Daçiqit paraqesin rrezik direkt për rendin juridik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Këto deklarata, të thëna gjatë një tubimi fushate në Serbi, kanë shqetësuar thellësisht opinionin publik dhe dëshmojnë ambiciet e vazhdueshme territoriale të Beogradit.
Në materialin e dorëzuar theksohet se Daçiq ka pohuar gjithashtu se është obligim i tyre të ndjekin trashëgiminë e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq. Sipas mbrojtësit ligjor, ky diskurs rrezikon të stimulojë urrejtjen dhe të destabilizojë rajonin.
“Deklaratat ekstreme radikale nacionaliste e këtij zëvendëskryeministri nxisin me padyshim spastrimin e popullit shqiptar e ‘rithekson atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, për projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve’”, citohet në kallëzimin penal, duke kërkuar ndëshkimin për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit, bazuar në nenin 141 të Kodit Penal të Kosovës.
Për më tepër, avokati ka kërkuar angazhimin e strukturave të INTERPOL-it dhe partnerëve ndërkombëtarë për lëshimin e fletarrestimit, duke marrë parasysh lëvizjet e shpeshta të politikanit serb në shtetet evropiane dhe rrezikun që ai përfaqëson.
Në këtë shkresë është përfshirë edhe reagimi i ish-ministrit gjerman për Evropën, Michael Roth, i cili kishte dënuar ashpër deklaratat e Daçiqit për Prizrenin.
“Serbia e gjorë! Ivica Daçiq dëshiron që flamuri serb të valëvitet mbi Prizren. Pretendimet territoriale ndaj një fqinji më lënë pa fjalë”, kishte shkruar ndër të tjera Roth, duke shtuar se qëndrime të tilla e distancojnë Serbinë nga rruga e saj drejt Bashkimit Evropian.
Megjithëse dokumenti mban datën 12 tetor 2026 dhe firmën e avokatit Gent Gjini, nga burimet zyrtare ende nuk dihet me saktësi nëse lënda është protokolluar zyrtarisht në Prokurorinë Speciale apo nëse organet e drejtësisë kanë nisur ndonjë procedurë paraprake.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: