Sport
Kampionati Europian i Peshëngritjes në Durrës: Shkëlqejnë Carja dhe Rrasa me medalje për Shqipërinë
Reklamë e Sponsorizuar
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Europian të peshëngritjes për Juniorë dhe U-23, i cili po mbahet në qytetin bregdetar të Durrësit, ka rezervuar momente suksesi, teksa kuqezinjtë kanë arritur të ngjiten në podium falë paraqitjeve të tyre mbresëlënëse.
Në garën e peshës 65 kg për djem, në kategorinë Junior, shtangisti Samoel Rrasa u ngjit në shkallën e tretë të podiumit, duke rrëmbyer medaljen e bronzit në stilin e shtytjes me një peshë prej 153 kg. Më herët, në stilin e shkëputjes, ai ngriti 125 kg duke u renditur i katërti, pozicion të cilin e ruajti edhe në dygarësh me një total prej 278 kg.
Ndërkohë, në kategorinë U-23 për vajza, në peshën 61 kg, peshëngritësja Gea Dokollari regjistroi paraqitjen e saj duke u pozicionuar e 12-ta në shkëputje me 75 kg, e 16-ta në shtytje me 85 kg, ndërsa në dygarësh u rendit e 15-ta me 160 kg në total.
Për sa i përket kategorisë Junior për djem në peshën 70 kg, Flavjo Alliaj pati një paraqitje pozitive duke u renditur i shtati në stilin e shkëputjes me 125 kg dhe i nënti në shtytje me 150 kg. Me një total prej 275 kg në dygarësh, Alliaj u klasifikua përfundimisht në vendin e shtatë.
Në po të njëjtën kategori, por në peshën 75 kg, shtangisti Antonino Mullisi regjistroi 130 kg në stilin e shkëputjes, duke u pozicionuar i teti. Megjithatë, ai nuk ka arritur të finalizojë me sukses asnjë provë në stilin e shtytjes, duke mbetur pa një renditje përfundimtare në dygarësh.
Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm ka ardhur nga shtangistja Enkileda Carja, e cila ka konfirmuar edhe një herë formën e saj të shkëlqyer. Në peshën 69 kg të kategorisë Junior, ajo u shpall nënkampione Europiane në stilin e shkëputjes me 101 kg, duke fituar medaljen e argjendtë. Ajo e përsëriti këtë sukses edhe në shtytje me 123 kg, duke marrë sërish argjendin, ndërsa triumfoi me medaljen e tretë të argjendtë edhe në dygarësh, me një total prej 224 kg.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: